Gjenerali rus, Nikolai Varpakhovich që komandoi sulmin me raketa në spitalin e fëmijëve Okhmatdyt në Kiev në korrik 2024, është qëlluar mëngjesin e sotëm në fshatin Probuzhdeniye, në Oblastin Saratov të Rusisë. Sipas mediave ruse, autori i cili qarkullonte me një motoçikletë dhe mbante një kokore, iu afrua viktimës dhe e qëlloi me një plumb në kokë dhe një në trup. Gjatë atentatit mësohet se u plagos edhe shoferi i gjeneralit rus.
Pavarësisht ndërhyrjes, mësohet se gjenerali ndodhet në gjendje kritike për jetën. “Atentati ndodhi në mëngjes në fshatin Probuzhdeniye. Personi që mbante veshur një helmetë, iu afrua një shtëpie me motoçikletë dhe hapi zjarr: një plumb e goditi viktimën në bust dhe një tjetër në fytyrë. Shoferi i oficerit ushtarak u plagos gjithashtu, por arriti të shpëtonte dhe të fshihej përpara se të kthehej dhe të thërriste një ambulancë.
Plumbat iu hoqën viktimës në spital. Ai aktualisht po përgatitet për transferim në Moskë me një fluturim të posaçëm”, njoftojnë mediat ruse. Autori është në arrati, ndërkohë që Komiteti Hetimor Rajonal ka hapur një çështje penale në lidhje me tentativën për vrasjen e një ushtari. Ndërkohë, më 31 gusht, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftoi se dy zyrtarëve ushtarakë rusë u ishin dorëzuar njoftime dyshimi në mungesë për përfshirjen e tyre në sulmet me raketa ndaj gazetarëve të Reuters në Oblastin e Donetskut dhe spitalit të fëmijëve Okhmatdyt në Kiev.
Njëri prej tyre ishte Varpakhovich. Hetimi përcaktoi se ishte Varpakhovich ai që dha urdhrin luftarak për të kryer sulmin me raketa në Spitalin Kombëtar të Specializuar për Fëmijë Okhmatdyt më 8 korrik 2024. Njësitë e aviacionit me rreze të gjatë veprimi nën komandën e tij kryen një sulm të synuar në spital me një raketë lundrimi ajër-tokë Kh-101 të lëshuar nga një bombardues strategjik rus Tu-95MS.







































