Ekspozita “Gjon Mili. Retrospektivë” do të qëndrojë e hapur për publikun edhe për një muaj më shumë, deri më 18 tetor. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” bën me dije se zgjatja e periudhës së ekspozimit i ofron publikut një mundësi të mëtejshme për t’u njohur me veprën e Gjon Milit, një prej autorëve më të rëndësishëm të fotografisë së shekullit XX, si dhe me kërkimin e tij novator mbi dritën, lëvizjen dhe kohën.
“Përmes veprave të përzgjedhura, ekspozita sjell në vëmendje momente dhe qasje të rëndësishme të praktikës së Milit, duke eksploruar marrëdhënien e veçantë mes eksperimentimit teknik dhe gjuhës fotografike. Nëse ende nuk e keni vizituar, kjo është mundësia për të përjetuar nga afër “Gjon Mili. Retrospektivë””, thuhet nga muzeu “Marubi” në Shkodër. Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës e kuruar është nga Howard Greenberg.
Me vepra nga arkivi i Howard Greenberg Gallery, retrospektiva paraqet fotografi dhe materiale arkivore që dëshmojnë transformimin e fotografisë nga një medium dokumentues në një hapësirë eksperimentimi me kohën, dritën dhe lëvizjen. Gjatë udhëtimit në ekspozitë, vizitori përballet me një galeri figurash të rëndësishme të shekullit XX.
Portrete të legjendave të jazz-it si Duke Ellington, Charlie Parker, Billie Holiday dhe Count Basie shfaqen jo thjesht si fotografi artistësh, (muzikantët më të famshëm të kohës), por si fragmente ku muzika ngjan sikur vazhdon të dëgjohet edhe pas shkrepjes së aparatit. I lindur në Korçë në vitin 1904, Gjon Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Ai vdiq më 14 shkurt 1984 në SHBA.











































