Peshëngritësja 15-vjeçare që përfaqëson Kosovën, Emili Ibanez, regjistroi dje rezultat fenomenal në Kampionatin Botëror për të rritur në Kinë. Ibanez është renditur e pesta në dygarësh në kategorinë deri 69 kg. Ajo është më e reja në Botërorin për seniorë. Ibanez ngriti gjithsej 240 kg. Vetëm dy peshëngritëse nga Koreja e Veriut, një nga Kolumbia dhe një nga Bjellorusia kishin rezultat më të mirë se Emili Ibanezi.
Ibanez garoi në Grupin B, që është i dyti më i forti. Pra nuk garoi me më të mirat në Grupin A. Në shkëputje, Emily Ibanez u rendit e teta me rezultatin më të mirë prej 106 kg. Në shtytje ishte e gjashta me 134 kg. Për më tepër, Ibanez ka vendosur tri rekorde për të reja në kategorinë trupore deri 69 kg. Në shkëputje e vendosi dy herë rekordin botëror. Po ashtu në shtytje vendosi dy herë rekordin botëror, ndërsa në total tri herë. Brenda ditës, Ibanez vendosi rekord botëror për të reja shtatë herë. Rekordet për të reja përfshijnë peshëngritëset prej 13 deri në 17 vjet. Ibanez është e lindur në Spanjë, ndërsa për shumë vjet ka jetuar në Kanada. Është pjesë e një familjeje peshëngritësish. Babai i saj është nga Kuba.
Prej këtij viti Emily Ibanez dhe vëllai i saj, Brayan, garojnë për Kosovën, pas një natyralizimi jo plotësisht të qartë. Ajo ka fituar tri të arta në Evropianin për juniorë dhe U23 të mbajtur pak javë më parë. Brajan Ibanez është dashur të garojë të hënën në Botëror, por hoqi dorë për shkak të një sëmurjeje. Të mërkurën garon për Kosovën, iraniani Kianoush Rostami. Ai garon për Kosovën prej vitit të kaluar. Të artën në kategorinë deri 69 kg e fitoi Song Kuk-hyang e Koresë së Veriut. Ajo fitoi duke vendosur tri rekorde botërore, në total me 275 kg, në shkëputje me 122 kg dhe në shtytje me 153 kg. Botërori në Ningo të Kinës ka nisur më 27 tetor. Deri më tani ka dominuar Koreja e Jugut me gjashtë të arta, tri të argjendta e tri të bronzta.





































