Google search engine
Home Kulture “Grepi i Artë” në skenë, komedia premierë që zbulon sekretet pas maskave...

“Grepi i Artë” në skenë, komedia premierë që zbulon sekretet pas maskave dhe lojërave të pushtetit

0
7

Intriga, humor dhe dyshime për tradhti që vënë në lëvizje një varg situatash të papritura! “Grepi i Artë” sjell në skenë përgjime, kamera të fshehta, maskime dhe sekrete personale, në një histori ku ambicia për pushtet dhe përpjekjet për të ruajtur imazhin krijojnë përplasje plot humor dhe surpriza. Vepra “Grepi i Artë”, e shkruar nga Bashkim Hoxha dhe me regji të Najada Elmazit, vjen premierë këtë nëntor. Komedia është produksion i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa do të jetë në vijim të programit artistik këtë sezon. Elmazi thekson lidhjen e veprës me realitetin e sotëm. Sipas saj, situatat që zhvillohen në prag të zgjedhjeve dhe përplasjet e interesave e bëjnë historinë të afërt me përditshmërinë e publikut. “Në konceptin tim regjisorial, aktualiteti i veprës lidhet edhe me mënyrën se si informacioni, imazhi dhe përgjimi ndikojnë në marrëdhëniet njerëzore.

Situatat që krijohen përpara zgjedhjeve, intrigat dhe përplasjet e interesave marrin një dimension që publiku e njeh nga realiteti i përditshëm”, thotë ajo. Elmazi e sheh këtë shfaqje premierë si një tjetër hap në rrugëtimin e saj artistik, duke theksuar se puna për të i ka dhënë mundësinë të eksperimentojë me ndërthurjen e dramaturgjisë, interpretimit aktorial dhe teknologjisë. “Çdo shfaqje është një përvojë që të çon drejt një kërkimi të ri. “Grepi i Artë” përfaqëson një tjetër etapë në rrugëtimin tim regjisorial, sepse më ka dhënë mundësinë të eksploroj më tej marrëdhënien mes dramaturgjisë, aktorit dhe teknologjisë”, thotë më tej Elmazi për punën e saj me shfaqjen që këtë herë është pjesë e veprave shqipe. Më parë si regjisore në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Elmazi ka marrë pjesë si regjisore në festivalin e gjimnazeve “Moisiu i ri”.

Aktorët në role

 Në role do të interpretojnë aktorët Neritan Liçaj, Julia Ilirjani, Mimoza Marjanaku, Era Çaushi, Ervin Doko, Marvin Tafaj, Xhejni Fama. Komedia do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 5,6,7 dhe 8 nëntor te Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës. Skenografi e kostumografi Alketa Tragaj Myshketa,  as/regjisor Elios Ibro, kompozitore Rona Castrioti  dhe koreograf Arian Plaku.

Në qendër të komedisë është një rrjetë dyshimesh që nis nga një tradhti e mundshme dhe përfshin personazhet në situata gjithnjë e më të ndërlikuara. Teksa afrojnë zgjedhjet, sekretet personale dhe interesat përplasen, ndërsa secili përpiqet të zbulojë të vërtetën dhe njëkohësisht të mbrojë veten. Kush do të zbulohet dhe kush do të përfundojë i kapur në grepin e së vërtetës? Kjo komedi vjen këtë nëntor si pjesë e programit artistik të sezonit, duke sjellë në skenë një tjetër vepër të dramaturgjisë shqiptare dhe duke pasuruar repertorin teatror me një histori të re për publikun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here