Festivali “Luleborë” vjen në edicionin e tij të 11-të, duke i kushtuar dy net këngës dhe krijimtarisë muzikore shqiptare. Festivali që është pjesë e jetës artistike dhe do të zhvillohet në teatrin “Migjeni”, me pjesëmarrjen e artistëve dhe krijimeve të reja muzikore. Festivali i këngës “Luleborë” 2026 sjell në konkurrim 16 këngë. Organizatorët kanë bërë tashmë publike krijimet pjesëmarrëse, ndërsa ky edicion pritet të përfshijë edhe surpriza dhe emra të njohur të muzikës shkodrane.
“Luleborë” synon të afrojë këngën me publikun dhe t’i japë asaj një dimension të ri. Rëndësi i kushtohet interpretimit të drejtpërdrejtë të të gjithë elementeve të festivalit, ndërsa muzika dhe tekstet e këngëve duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara nga drejtuesit e produksionit. Festivali që do të zhvillohet për dy mbrëmje radhazi në 5 dhe 6 nëntor është i organizuar nga Bashkia Shkodër.
Më datë 3 qershor u shpall ftesa e hapur për pjesëmarrje në festivalin e këngës “Luleborë” 2026, ku afati i dorëzimit të tyre ishte deri në datën 20 gusht, por më vonë u bë me dije se duke marrë parasysh interesin për këtë aktivitet, afati i dorëzimit të këngëve u shty deri në datën 23 shtator. Ndërsa materialet muzikore për këtë festival u shqyrtuan nga një komision përzgjedhës.
Festivali ka në fokus pasurimin e repertorit të këngës; afrimin dhe aktivizimin e brezave të rinj në muzikë, përmes krijimtarisë muzikore, krijimtarisë letrare si dhe interpretimit vokal / instrumental; zhvillimin profesional të këngës, etj. Në tetor 2025 festivali “Luleborë” në Shkodër u mbajt nën drejtim artistik të Zef Çobës. Fitues u shpall Glerdit Turmetaj me këngën “Ta dish”. Ky edicion i festivalit një vit më parë solli 15 këngë në konkurrim.
Programi i nëntorit në teatrin “Migjeni”
Festivali i këngës “Luleborë” vjen këtë vit me dy net kushtuar këngës dhe krijimtarisë muzikore, duke iu bashkuar kalendarit të aktiviteteve artistike të zhvilluara gjatë këtij sezoni në skenën e teatrit “Migjeni”. Në fillim të muajit nëntor, teatri bëri të ditur edhe programin e tij artistik, ku në vijim do të jetë koncerti “Tukiçi i Madh” nga Orkestra Simfonike apo dhe festivali mbarëkombëtar i humorit “Tano Festival”. Ndër të tjera teatri njoftoi se shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes” në datat 26-30 nëntor do të jetë pjesë e një turneu në Gjermani dhe Angli.






































