Google search engine
Home Aktualitet “Big Brother” në 14 akse/ Nga 1 janari radarë inteligjentë në rrugët...

“Big Brother” në 14 akse/ Nga 1 janari radarë inteligjentë në rrugët e Shqipërisë, ja rrugët ku do të monitorohen shoferët

0
23

Rreth 200 kilometra rrugë do të jenë nën monitorimin e teknologjisë së re. Policia ka nisur trajnimet për efektivët që do të operojnë nga Qendra e Monitorimit të Trafikut, ndërsa për këtë detyrë të re parashikohet edhe rishikim i pagave deri në 1800 euro.

Nga 1 janari, radarët inteligjentë dhe sistemet e avancuara të monitorimit do të vihen në funksion për të evidentuar shkeljet në akset kryesore të vendit.

Sipas të dhënave të siguruara nga infonews.al, kanë nisur trajnimet për një grup efektivësh të Policisë së Shtetit, të cilët do të kenë detyrën të monitorojnë dhe interpretojnë të dhënat e regjistruara nga radarët, drejtpërdrejt nga zyrat e Qendrës së Monitorimit të Trafikut.

Bëhet fjalë për një strukturë të re pune, ku punonjësit e policisë do të kenë në dispozicion sistemet inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur në kohë reale lëvizjen e mjeteve në rrugët e monitoruara.

Një tjetër element që shoqëron këtë zhvillim është edhe trajtimi financiar i efektivëve që do të angazhohen në këtë detyrë. Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, për ta pritet të ketë një rishikim të pagave, me një nivel që mund të arrijë deri në 1800 euro.

Si do të funksionojë sistemi inteligjent?

Teknologjia e re parashikon përdorimin e sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, të shoqëruara me pajisje stacionare dhe të lëvizshme.

Radarët do të mund të regjistrojnë dhe transmetojnë të dhëna mbi pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit. Ndërkohë, kamerat do të mundësojnë fotografimin dhe filmimin e lëvizjes së mjeteve, duke krijuar një bazë të dhënash për identifikimin e shkeljeve. Në sistem parashikohet gjithashtu integrimi i kamerave me rreze aktive, sensorëve dhe pajisjeve që funksionojnë me frekuenca radioje.

Faza e parë e zbatimit përfshin 14 segmente rrugore, me një gjatësi totale prej afro 200 kilometrash. Lista përfshin disa nga akset më të rëndësishme që lidhin Tiranën me Durrësin, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën, si dhe segmente të tjera në zonat e Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjës.

13 segmentet ku pritet të nisë monitorimi janë:

1. Tiranë–Durrës – 32 km: Nga Sheshi Shqiponja deri te Mbikalimi i Portit.
2. Tiranë–Elbasan – 26.4 km: Nga zona e TEG-ut deri në Bradashesh.
3. Durrës–Plazhi i Unazës – 5.9 km: Nga Mbikalimi i Shkozetit deri në Plepa.
4. Durrës–Kavajë – 9.81 km: Autostrada e Rrogozhinës, nga Plepat deri në Kavajë Veri.
5. Unaza e Kavajës – 7.89 km: Nga pjesa veriore deri në pjesën jugore të qytetit.
6. Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë – 13.9 km: Nga Rrogozhina, në zonën e Korridorit VIII, deri në pjesën veriore të Lushnjës.
7. Unaza e Lushnjës – 4.62 km: Nga pjesa veriore deri në pjesën jugore të qytetit.
8. Lushnjë–Fier – 20 km: Nga pjesa jugore e Lushnjës deri në Mbrostar.
9. Unaza e Fierit – 21.5 km: Nga Mbrostari deri në Levan.
10. Fier–Vlorë – 24 km: Nga Levani deri te rruga Transballkanike në Vlorë.
11. Vorë–Ahmetaq – 6.52 km: Nga Vorë deri në kryqëzimin me rrugën e Ahmetaqit.
12. Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq – 9.59 km: Segmenti që përfshin mbikalimin e Qafë-Kasharit dhe lidhjen me kryqëzimin e rrugës së Ahmetaqit.
13. Kryqëzime dhe rampa lidhëse – 5 km: Segmente të tjera lidhëse dhe rampa në akset e përfshira në projekt.

Kontrolli i shpejtësisë dhe jo vetëm

Vendosja e radarëve inteligjentë pritet të ndryshojë mënyrën se si Policia Rrugore evidenton shkeljet. Përmes monitorimit nga qendra operative, synohet që kontrolli të mos varet vetëm nga patrullat fizike në terren, por edhe nga teknologjia që regjistron dhe dokumenton lëvizjen e automjeteve.

Kështu, rreth 200 kilometrat e parë do të shërbejnë si fazë fillestare e një sistemi më të gjerë monitorimi, i cili synon të përfshijë gradualisht edhe akse të tjera të vendit.

Nga 1 janari, drejtuesit e automjeteve pritet të përballen me një mënyrë të re kontrolli në rrugë: më pak kontroll tradicional në terren dhe më shumë mbikëqyrje përmes teknologjisë inteligjente.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here