Kinemaja rikthehet në qendër të Tiranës këtë mbrëmje me nisjen e edicionit të 24-t të “Tirana International Film Festival”. Filma shqiptarë dhe të huaj do të sjellin në ekran histori, personazhe dhe realitete të ndryshme, në një festival që këtë vit vendos në fokus njeriun dhe atë që na bashkon si qenie njerëzore.
Nën temën “Bring it back – HUMANOGRAPHY”, TIFF 2026 eksploron përmes kinemasë emocionet, marrëdhëniet dhe përvojat që formësojnë jetën tonë. Filmi “Mother” i regjisores nga Maqedonia e Veriut, Teona Strugar Mitevska, do të çelë zyrtarisht këtë edicion në kinema Millennium në Tiranë.
Në krye të festivalit qëndron Agron Domi, themelues dhe drejtor i tij dhe në këtë edicion të 24-t do të shfaqen 229 filma, 27 filma të gjatë dhe 202 filma të shkurtër nga 71 vende. Të gjithë janë premiera botërore, ndërkombëtare, rajonale ose kombëtare. Në vijim të programeve, TIFF Focus këtë vit i bën një tribut kinemasë së Luchino Viscontit, një prej zërave më me ndikim në historinë e filmit evropian.
Mjeshtër i rrëfimit vizual, Visconti formësoi gjuhën kinematografike përmes një ndërthurjeje unike të neorealizmit dhe madhështisë operatike, duke eksploruar temat e pasionit, pushtetit, klasave shoqërore dhe brishtësisë njerëzore.
Programi përfshin disa nga veprat e tij si Obsession, Rocco and His Brothers dhe White Nights. Ndërkohë që pas filmit “Mother”, filma të tjerë do të pasojnë në kuadër të këtyre shfaqjeve speciale me premiera botërore dhe kombëtare, si: Shame and Money nga Visar Morina, fitues i Grand Jury Prize në Sundance Film Festival 2026; The Bow and the Brush nga Raphawlle Régnier, Francë, 2026, dokumentar; Live a Little nga Fanny Ovesen, Suedi, Norvegji, Danimarkë, 2024, dramë; Made In ALBANIAn – premiera kombëtare të filmave më të rinj të prodhuar në Shqipëri dhe Kosovë, në gjuhën shqipe.
Ndërsa filmi i mbylljes është “Mimoza Llastica” nga Xhanfise Keko, Shqipëri (1973) premierë e versionit të restauruar në 4K, në bashkëpunim me AQSHF. Tirana International Film Festival (TIFF) është festivali i parë ndërkombëtar i filmit në Shqipëri, i themeluar në vitin 2003.
Sot, është pjesë e listës të 94 festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë dhe është festivali i parë në Ballkan që mban statusin Oscar® Qualifying për Best Short Film. Shfaqjet dhe aktivitetet e edicionit të 24-t të TIFF 2026 do të zhvillohen në pika të ndryshme në Tiranë, ndërsa ceremonia e mbylljes dhe ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 27 shtator në mbrëmje në kinema Millennium.
Filmi “Mother”
“Mother” që do të shfaqet këtë mbrëmje është një film për Nënë Terezën, i vendosur në Kalkutë në vitin 1948, në një moment vendimtar të jetës së saj, kur besimi, ambicia dhe detyra përplasen, duke e përballur me një dilemë të thellë personale.
“Mother” pati premierën si filmi hapës i Orizzonti në edicionin e 82-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, duke sjellë një portret intim dhe thellësisht njerëzor të një prej figurave më të njohura të shekullit XX. Filmi u vlerësua me Çmimin për Kontributin më të Mirë Artistik në Tokyo International Film Festival. Me një karrierë të vlerësuar ndërkombëtarit, Teona Strugar Mitevska është autore e God Exists, Her Name Is Petrunya, film i cili ka fituar më shumë se 20 çmime, si çmimin Ecumenical Prize dhe Guild Film Prize në Gjermani.



