Mediat zvicerane i mëshojnë faktit se vizita e trajnerit Rolando Maran dhe kreut të FSHF-së Armand Duka nuk ka qenë thjesht për numrin 300 të ndeshjeve të Amir Abrashit me Grashopersin, por për dy talente të spikatur me origjinë shqiptare që angazhohen në Zvicër. Në analizën që bën gazeta e madhe zvicerane “Blick”, i mëshohet fakti se stafi shqiptar po e ndjek me vëmendje kampionatin zviceran dhe kanë pikasur elementë që mund t’i angazhojnë në përfaqësueset e tyre. Grasshoppers dhe Vaduz u ndanë në barazim në përballjen e tyre për mbijetesën të dielën. Megjithatë, disa tifozë miq në tribunat e stadiumit shkaktuan shumë më tepër diskutime sesa vetë ndeshja. “Siç ka mësuar Blick, mes spektatorëve kishte edhe disa të ftuar të veçantë. Një delegacion i Federatës Shqiptare të Futbollit ishte i pranishëm për të vëzhguar nga afër si motorin e mesfushës së GC-së, Samuel Krasniqi (21 vjeç), ashtu edhe talentin në ngjitje të Vaduzit, Lutfi Dalipi (20 vjeç). Ajo që e bën edhe më interesante situatën është fakti se të dy futbollistët ishin ende pjesë e grumbullimit të kombëtares U21 të Zvicrës gjatë ndeshjeve të fundit të kombëtareve.
A do të rikthehet në qendër të vëmendjes çështja e shtetësisë së dyfishtë? Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, të dy trajnerët ranë dakord për një pikë: talentet e rinj kanë nevojë për mbështetje. Trajneri i Vaduzit, Mark Shneider, i cili mësoi vetëm të shtunën për vizitën e delegacionit nga Shqipëria, u shpreh: “Çështja kryesore është se deri në verë askush nuk e njihte Lutfin, ndërsa tani rreth tij është krijuar një zhurmë e jashtëzakonshme. Kjo nuk është e lehtë për një djalë të ri dhe këtë mund ta dallosh edhe tek ai. Tani duhet ta mbrojmë.” Ai shtoi se duhet të zhvillojnë biseda me futbollistin dhe t’ia bëjnë të qartë se çfarë pritet prej tij dhe çfarë jo”, shkruan media zvicerane, “Blick”.
Zvicra i beson Granit Xhakës, e grumbullon dhe i jep shiritin
Granit Xhaka do të jetë sërish pjesë e kombëtares së Zvicrës duke nisur nga muaji nëntor. Shoqata Zvicerane e Futbollit ka vendosur të rikthejë mesfushorin shqiptar dhe sulmuesin Breel Embolo në dispozicion të trajnerit Murat Yakin, pas shqyrtimit të çështjes së certifikatave të falsifikuara të COVID-19 në vitet 2021 dhe 2022. Vendimi është marrë nga bordi qendror i federatës zvicerane, pas përfundimit të procedurave ligjore për të dy futbollistët. Në arsyetimin e saj, SFV ka marrë parasysh edhe pasojat sportive që lojtarët kanë vuajtur, pasi kanë munguar në katër ndeshje ndërkombëtare gjatë muajve shtator dhe tetor.
Një tjetër lajm i rëndësishëm për Xhakën është konfirmimi i tij si kapiten i Zvicrës. Trajneri Murat Yakin, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur unanimisht që mesfushori të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit. Drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami, ka theksuar se vendimi është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të rrethanave të të dyja rasteve, procedurave ligjore dhe pasojave sportive. Ndërkohë, trajneri Murat Yakin do të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar më 5 nëntor, për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë dhe Skocisë.






































