Lojtarët e përfaqësueses po përpiqen në këtë periudhë të lënë gjurmë me skuadrat e tyre dhe të marrin vëmendjen dhe mbështetjen e trajnerit Maran. Natyrisht jo të gjithë gëzojnë formë të mirë sportive e jo të gjithë kanë tregues që mund të bindin në këtë grumbullim të radhës. Mes tyre janë Mario Mitaj dhe Armando Broja që kanë marrë pak minuta, madje kanë disa ndeshje që nuk luajnë fare.
Mitaj bën katër ndeshje në stol, De Rosi nuk e ka preferuar titullar
Do të ishte e vështirë për t’u besuar në fillim, që pas katër javësh Mario Mitaj nuk do të regjistronte asnjë minutë në Seria A. De Rosi me Xhenoan e vendit të parafundit nuk po e llogarit Mitajn, i cili pranoi huazimin për shkak të mungesës së hapësirave nga Al Itihad. Xhenoa ndërkohë po vuan. Dje e mbylli me barazim ndaj Frozinones, teksa ishte pika e parë e regjistruar për këtë sezon. Vendi i parafundit është një sinjal që objektiv do të mbetet mbijetesa. Momenti për Mitajn pritet të vijë sërish në Kupë. Më 15 shtator rezervohet sfida ndaj Sudtirol, teksa Mitaj bënte mirë në sfidën e kaluar ku asistonte. Për të është një moment mjaft i vështirë.
SHBA gati të përfshijë Mehmetin në formacionin e saj përfaqësues
Trajneri Mauricio Poçetino mund të ftojë Adri Mehmetin për ndeshjet e shtatorit ndaj Perus dhe Kilit. 17-vjeçari do të ishte për herë të parë në dispozicion të ekipit A të Amerikës. Mehmeti ka shkëlqyer me Nju Jork Red Bull në Amerikë. Lajmi i mirë për mesfushorin shqiptar ishte se dje luajti si titullar në fitoren 0-1 ndaj Kolumbus. Mehmeti alarmoi në javën e kaluar, pasi u largua nga fusha i dëmtuar. Asgjë nuk ishte serioze dhe u kthye menjëherë në dispozicion të Nju Jork. Nëse vjen grumbullimi me Amerikën do të ishte goditje për Shqipërinë. Fakt është se Mehmeti ishte pjesë e Shqipërisë U-15 para se të kalonte te moshat e Amerikës.
Mediat angleze: Njeriu që solli Brojën te Bërnli mund të shkarkohet
Xhejms Holroyd nuk do të vazhdojë si CEO i Bërnlit. Ky është lajmi që raportohet nga Anglia për klubin e Armando Brojës. Bërnli ndodhet në vendin e fundit të renditjes së Championship, dhe për Drejtorin Ekzekutiv po shkonte çdo gjë keq. Emërimi i Holroyd erdhi në prillin e vitit 2025, kur Bërnli ishte drejt rikthimit në Premier Ligë. Holroyd mban po ashtu përgjegjësi, pasi dha aprovimin që të shpenzoheshin 20 milionë paund për transferimin e Brojës nga Çelsi. Në edicionin e kaluar erdhi rënia nga Premier Ligë. Çdo gjë po shkon po aq keq, teksa ekipi ndodhet në Championship. Tashmë pronarët e klubit po mendojnë për një tjetër administrator.
Përplasje shqiptarësh në Zvicër, fitojnë lojtarët e Zurihut
Bledian Krasniqi, Lindrit Kamberi dhe Valon Berisha kanë triumfuar me Zurihun ndaj Vaduzit të Lutfi Dalipit, Denis Simanit dhe Liridon Berishës. Zurihu të dielën pasdite e mposhti Vaduzin në shtëpi me rezultatin 2:1 në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Zvicrës. Mbrojtësi Kamberi e kompletoi ndeshjen te Zurihu, ndërsa Krasniqi u zëvendësua me Berishën me fillimin e pjesës së dytë. Te Vaduzi ndeshjen e kompletuan Dalipi, Simani e Berisha. Filipe Paulin Keni dhe Umeh Emanuel i realizuan golat e fitores për Zurihun. Ndërsa golin e vetëm për Vaduzin e shënoi Marcel Monsberger. Zurihu ka dhjetë pikë, kurse Vaduzi numëron gjashtë.








































