Java e katërt e Kategorisë Superiore u mbyll ditën e djeshme me dy takime që patën emocione të forta, rezultate befasuese dhe natyrisht tension, sidomos në takimin Laçi-Vllaznia, ku u desh ndërprerja e ndeshjes për minuta të tëra që gjyqtari të vinte kontrollin në fushë. Ishte një duel i pazakontë që mori “flakë” për shkak të daljes me karton të kuq të një prej lojtarëve të skuadrës shkodrane. Në duelin tjetër të ditës së djeshme, Elbasani u bë ekipi i parë këtë sezon që mund Egnatian, ndërsa kjo e fundit zbret në vend të dytë pasi në krye ngjitet Teuta.
Ndeshja
Një ndeshje mjaft emocionuese por edhe e tensionuar ishte ajo mes Laçit e Vllaznisë, e cila nisi me ritëm të lartë, teksa shkodranët rrezikuan që në minutën e parë me një goditje me kokë të Mustës. Teksa shkodranët mbajtën kontrollin e topit në pjesën më të madhe të kohës, kurbinasit u përgjigjën rrezikshëm me kundërsulme. Tensioni i derbit u shfaq qartë rreth minutës së 33-të, kur një përplasje në fushë përfshiu edhe pankinat, duke e detyruar kryesorin Cjapi të ndërpriste lojën për dy minuta dhe të ndëshkonte Nergutin dhe Muratajn me të verdhë. Pjesa e parë u mbyll e bardhë, pavarësisht rasteve nga të dyja kampet. Pjesa e dytë nisi me ndryshime të shumta, por ishte lëvizja e Laçit ajo që dha rezultat të menjëhershëm. Në minutën e 50-të, një zbritje e shpejtë e Traore përfundoi te Cena, i cili me një gjuajtje të saktë mposhti portierin Avram, duke zhbllokuar shifrat. Pika e kthesës për keq e Vllaznisë erdhi në minutën e 71-të.
Mehmeti u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë, një vendim që solli protesta të ashpra nga lojtarët shkodranë dhe drejtori sportiv, Vioresin Sinani. Situata degradoi më tej kur një send u hodh nga tribuna përballë. Gjyqtari Kreshnik Cjapi mori një vendim drastik: ndërpreu ndeshjen dhe refuzoi ta rinisë atë pa u boshatisur plotësisht sektori problematik. Pas rreth 11 minutash ndërprerje, loja rinis në minutën e 88-të me një rivënie anësore për Vllazninë. Por pa kaluar asnjë minutë, kurbinasit goditën sërish. Një harkim i Azizit gjeti Traoren në shtyllën e dytë, i cili dyfishoi shifrat në minutën e 89-të. Për shkak të ndërprerjes së gjatë, tabela e arbitrit të katërt tregoi një shifër të padëgjuar: plot 19 minuta shtesë. Vllaznia u mundua të reagonte, duke pasur një rast flagrant me Balajn i vetëm përballë portierit Guri (90’+4’), por pa sukses. Pas rreth 110 minutash lojë e tension të vazhdueshëm, Laçi festoi një fitore të madhe në shtëpi.
Elbasani, i pari që ndal Egnatian
Elbasani u bë skuadra e parë që ndali dje Egnatian pas katër xhirosh në Superiore. Takimi i luajtur në Elbasan shënoi duelin e fundit për këtë javë, ku vendasit fituan 2-1, duke marrë trepikëshin e parë për këtë sezon. Nga ana tjetër, Elbasani bëhet ekipi i parë që mund Egnatian, e cila vinte në këtë ndeshje pas tri fitoresh radhazi dhe një skuadër me moral të lartë për shkak të suskesit në kompeticionet e UEFA-s, ku ka mundur të shkojë në fazën e ligës së Konferencës. Golin e parë e shënoi Nikaj, në minutën e 41-të, ndërkohë që barazoi shifrat Montenegro në minutën e 44-t. Por Elbasani do të shënonte në sekondat e fundit të pjesës së parë sërish me anë të Nikajt, duke marrë epërsinë 2-1. Ky rezultat nuk ndryshoi në pjesën e dytë dhe verdheblutë dolën me tri pikë nga stadium, kurse Egnatia “shijoi” humbjen e parë, duke humbur edhe kryesimin të cilin ia mori Teuta.
Java 4
Të premten
Skënderbeu-Tirana 1-1
Të shtunën
Partizani-Dinamo 2-4
Teuta-Vora 2-0
Të dielën
Laçi-Vllaznia 2-0
Elbasani-Egnatia 2-1
Renditja
Nr.Ekipi Pikë
1.Teuta 10
2.Egnatia 9
3.Dinamo 9
4.Laçi 7
5.Elbasani 5
6.Partizani 4
7.Tirana 4
8.Vora 3
9.Vllaznia 2
10.Skënderbeu 2








































