Nga Julia Vrapi
Ndërhyrjet me mjete të rënda në zonën e Kalasë së Rozafës në Shkodër kanë ngjallur shqetësim për ruajtjen e peizazhit historik dhe vlerave të trashëgimisë kulturore. Përmes një reagimi publik, studiuesi Auron Tare ka kritikuar ndërhyrjen, duke e cilësuar atë si një dëmtim të peizazhit historik dhe duke ngritur pikëpyetje mbi ndërhyrjet në zonat e mbrojtura në emër të zhvillimit të turizmit. “Kalaja e Rozafës Shkodër, monument kulture, zonë e mbrojtur, peizazh historik dhe një nga simbolet e kulturës identitare të Shqipërisë.
Ndërkohë një eskavator shtetëror thyen shkëmbinjtë dhe dëmton peizazhin historik në emër të turizmit. Nuk më bëhet të shkruaj më kur pashë këtë video të hedhur me krenari dhe publicitet. Diçka e thellë është thyer në psiqikën e këtij shteti, i cili me dorën e vet ndërhyn në zonat monumentale. Pastaj kur shikoj tabelën që lajmëron se kjo bëhet nga Fondi i Zhvillimit më zë tmerri. Pas shpartallimit të Syrit të Kaltër, Kanionit të Langaricës, Qendrës Historike të Pogradecit tani i është futur peizazhit historik të Shkodrës”, shprehet Tare në reagimin e tij në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe një video që tregon ndërhyrjet në zonën e Kalasë së Rozafës.
Auron Tare ka ngritur edhe më herët shqetësime lidhur me mënyrën e ndërhyrjeve në monumentet dhe zonat me vlera të trashëgimisë kulturore. Në reagimet e tij publike, ai ka vënë në fokus nevojën për ruajtjen e monumenteve dhe peizazheve historike, duke kritikuar ndërhyrjet që sipas tij rrezikojnë vlerat kulturore dhe historike të këtyre siteve.
Kalaja e Shkodrës
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Prej kohësh, ajo mbetet një monument shumë i rëndësishëm i vendit. Më herët nga institucionet u bë me dije se gjatë muajit korrik këtë vit, Kalaja e Rozafës u vizitua nga 23,678 vizitorë. Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik, duke kontrolluar të gjithë territorin e gjërë përreth.
Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura.
Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qëndrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut.








































