Dymbëdhjetë ditë pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara ka bërë një reflektim kritik për mënyrën se si menaxhohen zjarret në vend. Në një analizë të gjatë, ish-drejtori vë në shënjestër qasjen që, sipas tij, e mat suksesin me numrin e avionëve, helikopterëve dhe mjeteve të angazhuara në terren.
Ai kritikon edhe mënyrën se si krijohet perceptimi publik për menaxhimin e situatës, duke argumentuar se shfaqja e mjeteve ajrore krijon idenë se shteti ka reaguar dhe situata është vënë nën kontroll, ndërkohë që operacioni në terren vijon dhe zjarri nuk është domosdoshmërisht i shuar.
Analiza e Carës vjen në një kohë kur ende nuk janë bërë publike arsyet e dorëheqjes së tij dhe përçohet si një kritikë ndaj mënyrës se si, sipas tij, është konceptuar lufta me zjarret dhe të gjithë filozofisë së qeverisë lidhur me këtë betejë. Në vend që vëmendja të përqendrohet te vendimmarrja, koordinimi dhe drejtimi i operacioneve, ai argumenton se debati publik në Shqipëri në këtë sezon zjarresh po dominohet nga numri i mjeteve, fluturimet e avionëve dhe helikopterëve, ndërsa roli i komandimit mbetet në plan të dytë.
Në mesazhin e tij, ish-drejtori shkon përtej aspektit teknik të menaxhimit të zjarreve dhe ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si komunikohet reagimi i shtetit në situata emergjente. Sipas Carës, investimi nuk duhet të jetë vetëm te shtimi i mjeteve, por edhe te aftësia për të marrë vendimet e duhura në minutat kritike, duke argumentuar se suksesi i një operacioni nuk matet me pamjet që transmetohen, por me dëmet që arrijnë të parandalohen.









































