Kampionati i sezonit të ri është në prag dhe federata sapo njoftoi për befasitë që pritet të ketë në edicionin e ri. Kështu, sezoni i ri i “Abissnet Superiores 2026-2027” nis më 21 gusht, me një sërë risish që synojnë të rrisin konkurrencën e kampionatit, të krijojnë më shumë hapësira për talentet e rinj dhe të sjellin një organizim edhe më të mirë të garës.
Një format i ri për kampionatin
“Abissnet Superiore” do të zhvillohet në tre faza të rregullta, me gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe, ku gjashtë ekipet e para do të vijojnë garën në play-off, ndërsa katër skuadrat e fundit do të luajnë në play-out. Pikët e fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së këtyre fazave. Formati i ri synon ta mbajë garën të hapur dhe konkurruese deri në javët e fundit, si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesën.
Më shumë hapësirë për talentet e rinj
Një tjetër risi e rëndësishme është aktivizimi i detyrueshëm i futbollistëve të rinj. Në “Abissnet Superiore” dhe Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare. Ky rregull synon të krijojë më shumë mundësi për talentet e rinj shqiptarë dhe të kontribuojë në zhvillimin e brezit të ardhshëm të futbollistëve. Kjo është një nga risitë më të bukura dhe ndoshta më e rëndësishmja e këtij kampionati.
Orar i ri, organizim më efikas
Ndeshjet do të zhvillohen në katër fasha orare: 13:30, 16:00, 18:30 dhe 21:00. Struktura e re synon të optimizojë kalendarin e garave dhe të krijojë kushte më të mira për klubet, futbollistët, transmetuesin dhe tifozët. Në sezonin e ri do të vijojë edhe iniciativa “Klubi në Komunitet”, përmes së cilës FSHF synon të forcojë lidhjen e klubeve me tifozët, familjet, të rinjtë dhe komunitetet lokale. Me një format të ri, më shumë hapësira për të rinjtë, organizim të përmirësuar dhe një qasje më të afërt me komunitetin, “Abissnet Superiore” nis një sezon të ri zhvillimi dhe konkurrimi.
Fusha e stadiumit “Air Albania” do të jetë gati për pak javë
Procesi i përgatitjes së fushës së re të stadiumit “Air Albania” po vijon me ritme të mira, teksa impianti po i afrohet fazës finale të projektit. Pas mbjelljes së barit natyral, specialistët po vijojnë punën e përditshme për zhvillimin dhe konsolidimin e sipërfaqes së lojës. Procesi përfshin kositjen dhe mbledhjen e barit, ujitjen, mirëmbajtjen dhe monitorimin e vazhdueshëm të fushës, në mënyrë që ajo të arrijë parametrat optimalë.
Paralelisht, vijon edhe procesi i ndriçimit me llampa speciale për rritjen dhe zhvillimin e barit, një element i rëndësishëm për garantimin e kushteve optimale të fushës. Punimet dhe mirëmbajtja do të vijojnë edhe gjatë javëve në vazhdim, ndërsa “Air Albania” synohet të jetë plotësisht gati gjatë muajit shtator. Fusha e re është një tjetër investim i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në funksion të modernizimit të infrastrukturës dhe përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027.








































