Google search engine
Home Opinion Intervista U hap “foleja e grerëzave”, Sali Berisha drejt qelisë, avokati i familjes...

U hap “foleja e grerëzave”, Sali Berisha drejt qelisë, avokati i familjes “Haklaj” paralajmëron zhvillime të bujshme

0
19

Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka folur për kallëzimet penale që ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta, si edhe për çështjet e “21 Janarit” dhe vrasjeve në Tropojë. Z. Beqiri deklaroi se ka depozituar 25 kallëzime penale ndaj Berishës dhe Metës, duke përfshirë akuza që lidhen me privatizime, vjedhjen e floririt të Krrabës, vrasjet në Tropojë dhe 21 Janarin. Sipas tij, kallëzimet përfshijnë edhe privatizimin e ARMO-s, Albpetrol-it, disa hidrocentraleve dhe çështje të tjera që ai i konsideron afera korruptive. Beqiri tha se qëllimi i tij është që pasuritë që, sipas tij, janë përfituar në mënyrë të paligjshme, t’i kthehen buxhetit të shtetit. Duke folur për SPAK-un, juristi Beqiri tha se institucioni fillimisht krijoi shpresë te qytetarët, pasi, sipas tij, figura të larta politike nisën të përballeshin me drejtësinë.

Megjithatë, ai kritikoi mënyrën se si janë trajtuar disa prej dosjeve më të vjetra. Sipas Beqirit, dosja që duhet të hapet me urgjencë është ajo e 21 Janarit. Ai deklaroi se SPAK duhet ta çojë çështjen në gjyq dhe e akuzoi Sali Berishën si organizator dhe urdhërues të vrasjeve të 21 Janarit.  Duke folur për dosjen e familjes Haklaj, Beqiri, i cili është avokat i familjes Haklaj, tha se hetimet kanë vazhduar prej rreth tre vitesh dhe se janë bërë hetime të shumta. Ai deklaroi se dy procese të mëdha që lidhen me këtë çështje janë, sipas tij, drejt zbardhjes. Beqiri përmendi dëshmitë e personave që, sipas tij, kanë pasur dijeni ose kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve. Ai veçoi dëshminë e një personi që ka ardhur nga Franca dhe që, sipas tij, ka dëshmuar për tri ditë në SPAK. Beqiri përmendi gjithashtu 139 faqet e deklarimeve të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhisë, për të cilat tha se përmbajnë dëshmi dhe prova lidhur me ngjarjet në Tropojë. Sipas Beqirit, në SPAK kanë dorëzuar materiale edhe familjarë të Haklajve, të cilët, sipas tij, kanë dhënë deklarime dhe materiale që lidhen me hetimet. Më tej në intervistën për “MEDIA60”, z. Beqiri, i cili është edhe avokati i familjes Haklaj, theksoi se çështja po hetohet dhe se, sipas tij, materialet e dorëzuara dhe dëshmitë e mbledhura mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjeve dhe në marrjen e masave përkatëse nga drejtësia. Më poshtë po pasqyrojmë intervistën e avokat Beqirit.

Intervista 

-Avokat, ju keni depozituar kallëzime penale në SPAK ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës për afera që i konsideroni ndër më të rëndat: cilat janë provat dhe faktet konkrete që, sipas jush, lidhin dy ish-funksionarët me këto akuza?

Idajet Beqiri: Po, problemi është se nuk jam si individ, se nuk i duroj dot si individë këta persona, por janë persona që realisht prej një kohe shumë të gjatë kanë qenë në detyra tepër të rëndësishme në Shqipëri. Në vend që të punonin në interes të kombit të tyre, të popullit të tyre, dhe në vend që t’i justifikonin ato detyra të larta që u kanë dhënë shqiptarët sepse kanë votuar për ta, ata faktikisht e kanë shpërdoruar në mënyrën më skandaloze besimin e popullit. Sali Berisha, e sundoi opozitën e këtij vendi në vitet ’90, pastaj e mori pushtetin me ndihmën e agjenturës serbe edhe e bëri Shqipërinë një vend që s’kishe ku ta kapje. Domethënë, nga një vend me një industri të jashtëzakonshme të madhe edhe një vend që i kishte thuajse të gjitha gjërat, por i kishte të centralizuara, se ekonomia ishte e centralizuar atëherë, e ktheu në një vend ku i shkatërroi të gjitha dhe e çoi në nivelin zero. Për rrjedhojë, i shkaktoi Shqipërisë edhe shqiptarëve një dëm të pallogaritshëm. Jo vetëm nga pikëpamja e goditjes fatale që u dha nga ana psikologjike, por edhe i çoi rrugëve të botës, sepse duke i shkatërruar 535 fabrika, uzina dhe kombinate, duke i shkatërruar ushtrinë këtij vendi, forcat e armatosura, duke e bërë gjithë industrinë e këtij vendi për skrap dhe duke e shitur në Malin e Zi apo në Serbi gjithë atë potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që ishte vënë me gjakun dhe me djersën e shqiptarëve…

Pra, duke i përvetësuar ai dhe banda e tij, atëherë mbi 2 milionë e ca shqiptarë u detyruan të emigronin, të iknin nga Shqipëria e ta braktisnin atdheun e tyre. Dhe ikja nga Shqipëria është bërë me mjete me të vërtetë tragjike sepse donin një jetë më të mirë në Greqi, por duke mos pasur viza e duke mos pasur letra, shkonin maleve dhe ngelnin në dëborë. Kush e di sa të vdekur e të ngrirë ka në malet e Greqisë nga shqiptarët, e që edhe sot nuk u gjenden eshtrat nga familjarët. Sikurse nuk mbarojnë të mbyturit në detin Adriatik edhe në detin Jon, duke marrë gomonet e të tjerat me radhë, në sajë të kësaj politike vrasare të Berishës. Kështu që një person i tillë, që u bë president i vendit dhe që postin e mori e e vuri në shërbim të një vendi jo mik të Shqipërisë, siç ishte Serbia, dhe jo mik të Shqipërisë, siç ishte Greqia, i shiti interesat kombëtare. Dhe më pas, me bashkëpunëtorin e tij Ilir Metën, nuk lanë krim dhe korrupsion pa bërë në këtë vend; me privatizime kriminale i dhanë naftën e Shqipërisë të huajve dhe vetëm përfituan këta dy persona prej saj. I dhanë pasuritë e tjera minerale, krom e të tjera të huajve, dhe asgjë nuk përfitoi Shqipëria dhe shqiptarët, veç xhepi i tyre përfitoi.

Privatizuan në mënyrë kriminale Bankën e Shqipërisë dhe prej saj e prej atyre aseteve që ua dhanë falas të huajve, përfituan vetëm ata, por jo Shqipëria dhe shqiptarët. Apo edhe prej privatizimeve të tjera të hidrocentraleve, që sot në Shqipëri të paktën vetëm ato katër hidrocentrale që i mori privati turk, këto i jepnin vit për vit Shqipërisë dhe shqiptarëve 40 milionë euro. Nga këto 40 milionë euro, mban turku 30 milionë dhe 10 milionë ende ua jep familjes së Berishës edhe familjes së Ilir Metës. Kështu që në këtë aspekt, lufta kundër tyre është lufta për të mbajtur gjallë, në kuptimin e mirë të fjalës, atë që në këtë vend nuk duhet të sundojë krimi, që krimi duhet luftuar dhe që këto pasuri që këta i kanë grabitur popullit, minimumi t’i kthehen. Sepse nuk duan Shqipëria dhe shqiptarët burgosjen e tyre të përjetshme, se nuk u hyn asgjë në punë nga burgosja e tyre e përjetshme por në punë u hyn që pasuritë që i kanë bërë asete në bankat e huaja edhe në bankat e Shqipërisë, të paktën t’i kthehen buxhetit të shtetit, t’u kthehen Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kështu që kjo është lufta ime kundër këtyre si ish-funksionarë të lartë të shtetit që i kanë bërë dëme kaq të mëdha shtetit. Për këtë shkak, edhe si profesionist që jam, si avokat që jam, duke i njohur edhe nga pikëpamja ligjore edhe nga pikëpamja se kush është provë e të tjera, kam çuar në SPAK për të dy këta persona 25 kallëzime penale për afera nga më të rëndat korruptive, duke filluar nga vjedhja e floririt të Krrabës që i kanë bërë të dy këta persona (në mars ’97 Sali Berisha dhe në fundin e vitit 1999 Ilir Meta gjysmën tjetër të floririt), e deri te vrasjet e Tropojës, posaçërisht tetë vrasjet e Haklajve nga Berisha dhe organizata e tij kriminale, dhe për 21 janarin, të cilit tashmë po i vjen litari në fyt Sali Berishës, sepse ia çoi litarin në fyt për t’u përgjigjur si organizator edhe si urdhërues i atyre vrasjeve, asaj masakre të 21 janarit, edhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, por edhe nga Gjykata e Strasburgut. Duke vazhduar me aferat e tjera të mëdha: me privatizimin kriminal të Armo-s, me privatizimin kriminal të Albpetrol-it, me një sërë privatizimesh të tjera, me vjedhjen e disa bankave, posaçërisht vjedhja e bankës së Shkodrës dhe Tropojës nga Berisha, ku një pasuri e jashtëzakonshme financiare u fut në familjen e tij në këtë kohë, e kështu me radhë për një numër të konsiderueshëm krimesh të tjera.

-Besoni se SPAK do t’i çojë këto procese deri në fund si për Metën ashtu edhe për Berishën?

Idajet Beqiri: Problemi është që SPAK ishte shpresë e madhe për Shqipërinë edhe SPAK realisht nuk e filloi keq këtë punë, ua dha këtë shpresë shqiptarëve sepse më në fund ne pamë në këtë vend që pushtetarë të lartë, ata që ishin të pandëshkueshëm dhe që nuk e imagjinonin dot kurrë të vinin në dyert e prokurorisë apo në dyert e gjykatës qoftë edhe si dëshmitarë për të dhënë një dëshmi, lëre më si të pandehur, më në fund u vunë në rresht edhe filluan të shkojnë madje edhe me akuza konkrete. Bie fjala, ai Berisha që bëri 21 janarin, nuk pranonte kurrën e kurrës t’i nxirrte ekzekutorët e 21 janarit. Në vend që t’ia jepte drejtësisë që t’i hetonte edhe të mbanin përgjegjësinë ligjore për vrasjet që bënë si ekzekutorë, nuk e çonte dot veten ai atje se ishte urdhëruesi dhe organizatori, po të paktën të linte këta bashkëpunëtorët e tij, të linte ekzekutorët që t’i nënshtroheshin hetimit.

Përkundrazi, ai i mori, i grisi urdhër-arrestet e prokurorisë dhe të gjykatës së asaj kohe duke e rrëzuar pushtetin gjyqësor e duke e shkelur me këmbë, dhe i dekoroi këta ekzekutorë. Madje i mbajti edhe në zyrën e tij atje në Kryeministri, me ushqim, me fjetje e me të gjitha, vetëm e vetëm që të mos i arrestonte prokuroria. Kështu që ky person, që ishte i tillë edhe kishte një fuqi të tillë, ky person sot po vete, siç thotë populli, “me një këmbë” para SPAK-ut. Javë për javë paraqitet atje edhe heq mungesën, sikurse po përballet edhe me gjykimin e parë që i nisi për korrupsionin dhe që kuptohet, në malin e madh të krimeve që ka kryer, është thjesht një gjethe ajo e kompleksit Partizani. Gjithsesi është një korrupsion shumë i rëndë që tregon se si e ka shfrytëzuar pushtetin. Domethënë, merr një pasuri 500 milionë euro që ishte e të gjithë shqiptarëve, pasuri kombëtare (kompleksin Partizani me godinat, me truallin e me të gjitha), dhe ia jep vajzës së tij, dhëndrit të tij, ia jep vetes së tij me një vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë bashkëpunëtorë mjaft ministra të tjerë e duke i futur në krim edhe ata, si pa gjë të keq, sikur ta kishte mallin e vet. Për këtë ai po përgjigjet, por jam i bindur që do të përgjigjet edhe për krimet e tjera. Kuptohet, SPAK më shumë është marrë me të majtët sesa është marrë me ata që janë kryekriminelët dhe që janë dëmsjellësit më të mëdhenj të këtij vendi, të këtij populli dhe të pasurive kombëtare, që janë këto dy familje nga më të korruptuarat e Shqipërisë: familja Berisha dhe familja e Ilir Metës.

Sepse në duart e tyre janë miliarda dollarë sot që i qarkullojnë, si para të thata, por edhe asete të ndryshme, posaçërisht vila e hotele pafund E patë që vetëm në sekuestrimet që u bënë për kompleksin Partizani dolën 24 asete të ndryshme: toka e vila ku s’i kishte Saliu dhe familja e tij, nga Holanda deri në Athinë të Greqisë. Faktikisht SPAK po merret me thërrime. Nuk po merret me thelbin e krimeve në këtë vend, nuk po merret me vrasjet masive që janë bërë në këtë vend, se janë vrarë mbi 10.000 veta. Edhe këtë gjak e ka derdhur Berisha me bandën e tij kriminale, duke filluar që nga 2 prilli i Shkodrës, te marsi i ’97-ës, më pas grushti i shtetit që bëri në ’98-ën (dhe atje pati të vrarë), dhe vazhdoi me djegien e gjallë që u bëri njerëzve, thjesht dhe vetëm që t’u grabiste shqiptarëve ato pasuri, edhe për të bërë trafikun e armëve edhe të barutit atje në Gërdec, ku 26 i dogji të gjallë edhe 300 e ca të tjerë kanë ngelur sakat sot nga djegiet që pësuan në atë vend. Dhe me radhë pastaj krimet e tjera, të cilat nuk kanë marrë ende rrugën e duhur dhe ndëshkimin e duhur. SPAK nuk po u afrohet këtyre krimeve të rënda. Nuk po u afrohet këtyre vrasjeve.

Nuk i afrohet dot grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998; nuk i afrohet dot edhe po rri ende larg. Ka frikë, është tmerruar nga 21 janari; akoma nuk po shkon atje ku duhet. Nuk po i afrohet Gërdecit. Po merret me Fatmir Mediun, vetëm me të, edhe po mundohet ta shmangë sa të mundet Shkëlzen Berishën, që është thelbi i atij krimi me familjen e Sali Berishës. E gjithë familja u vërsul në Gërdec që bëri atë krim aq të shëmtuar sa vrau edhe baxhanakun atje, Saliu edhe baxhanakun e dogji në atë aferë të rëndë korruptive. Dhe ju me të drejtë bëni pyetjen: Pse? Sepse Berisha e Meta, paratë e pista të tyre por edhe organizata e tyre kriminale ka vrarë dhe ka vrarë për të bërë korrupsion. Bie fjala, vetëm me vjedhjen e floririt të Krrabës, kush ishin dëshmitarët e kush ishin ata që e morën floririn e Krrabës? Një pjesë e çuan në Zvicër, një pjesë e çuan në Selanik e një pjesë në Durrës. Ende sot në Durrës shitet floriri i Ilir Metës atje. Katër prej tyre nuk janë sot, nuk rrojnë, u ekzekutuan edhe në moshë të re. Por Ilir Meta dhe banda e tyre kriminale (e Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë), sikurse ata që bënë aferën e CEZ-DIA-s që e bëri Ilir Meta, që të mos zbuloheshin rrënjët e krimit të tij dhe paratë që i çoi faktikisht ato të CEZ-DIA-s edhe floririn e Krrabës bëri deri dhe blerje miniere në Kongo apo në bankat e Kongos me llogari bankare atje.

Ai u përpoq që ambasadorin tonë që kemi pasur në Çeki ta zhdukte, dhe iku ai, nuk u mor vesh si vdiq. Edhe ata që kanë pasur dijeni për këto, sot nuk u gjenden; domethënë o janë të zhdukur, o nuk u gjenden kockat. Kështu që në këtë aspekt, duke i ditur këto gjëra, SPAK dy gjëra ka tashmë: ose është i blerë, ose janë frikacakë. Dhe këto të dyja që po thonë, i ka konfirmuar edhe ambasadorja amerikane kur ishte këtu. Kur e bëri analizën e SPAK dhe i vlerësoi ato pak arritje, nga ana tjetër tha se kur nuk u futen në thellësi këtyre krimeve që i kanë bërë gjemën këtij vendi, këtyre krimeve që realisht nëse ndëshkohen si duhet, dhe në rast se shkojmë te pasuritë edhe te vjedhjet e rënda të këtyre që i kanë depozituar në banka të huaja apo i kanë bërë asete. Sepse asetet nuk janë përralla. Në qendër të Londrës, në pjesën më të pasur të Londrës, rreth 1 miliard euro pasuri ka sot Ilir Meta, të cilat i ka vendosur në emra të ndryshëm, deri dhe në emra këngëtarësh apo këngëtaresh atje. Dhe duhet t’u vihet pas që t’i marrin e të vijnë t’i kthehen buxhetit të shtetit e të bëhen pasuri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pra i dinë këto gjëra, edhe SPAK-u i di, por dikush ka frikë, dikush ka përfituar prej ofiqeve që i ka dhënë Berisha në kohën e vet. Edhe vajza e vet, Argita Berisha, e cila ka bërë rolin e drejtores së kuadrit edhe në prokuroritë e Shqipërisë, edhe në gjykatat e Shqipërisë, sepse ajo emëronte dhe çemëronte, ajo të ngrinte në përgjegjësi, ajo dhe të shkarkonte po të donte, dhe i kishte vënë në rresht gjykatat e Shqipërisë për interesat e familjes së saj, të miqve të saj edhe të korruptuarve të tjerë. Kështu që në këtë aspekt, tashmë “nderi me nder”, thonë: “na bëri nder që na ka mbajtur në detyrë” apo “që na hoqi nga Saranda, nga Tropoja, nga Kukësi e na solli në Tiranë”. Atëherë unë tani mundësinë kam që t’i zvarris sa më shumë këto procese që janë hapur kundër Berishës, duke filluar me vrasjen e Remzi Hoxhës, me vrasjen e Trebickës edhe me gjithë këto krime edhe afera të tjera që ju përmenda. Kështu që kjo është arsyeja që SPAK përsëri është i kapur.

Eshtë i kapur nga dy gjërat që thashë: nga frika ose sepse janë të korruptuar e paguhen për të mos punuar dhe për të mos e bërë detyrën ashtu siç duhet. Por është e përkohshme, sepse jemi të bindur që edhe faktori brenda vendit, pra shqiptarët, po ndërgjegjësohen e po dinë me çfarë gjuhe të flasin. Dhe ata flasin edhe në rrjete sociale, flasin edhe nëpër emisione të ndryshme, në ato që organizoni edhe ju vetë, qofshin edhe këto biseda e intervista të tilla që ndikojnë për ta ndërgjegjësuar opinionin këtu brenda. Plus që Shqipëria në Bashkimin Evropian… do të jetë në Bashkimin Evropian, por do të jetë duke u vetëpastruar derisa të shkojmë në nivelet e vendeve të tjera, dhe nuk do të na lejojë askush që të mos i kemi të zbuluara këto krime të rënda e këto afera të rënda korruptive pa i ndëshkuar këta kriminelë që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë.

Cila është dosja që duhet hapur urgjent nga SPAK?

Idajet Beqiri: SPAK urgjentisht duhet të çojë në gjyq, sepse e ka gati, krimin e rëndë shtetëror të Sali Berishës me 21 janarin. Urdhëroi vrasjen e qytetarëve, vrasjet masive, dhe masivisht u qëllua. Katër mbetën të vdekur, 70 e ca të tjerë të plagosur rëndë sepse i ndihmoi Zoti që nuk e morën plumbin atje ku e morën ata katër që vdiqën. Kjo masakër shtetërore që u bë kundër demokracisë e lirisë së fjalës duhet të marrë ndëshkimin e duhur. Ajo tregon se çfarë bën një njeri i papërgjegjshëm kur vihet në krye të shtetit. Ai vjen që t’u vijë në ndihmë qytetarëve, ta zhvillojë vendin e ta fusë në Bashkimin Evropian… Në vend të këtyre, urdhëron vrasje sepse ju u ngritët kundër korrupsionit të Ilir Metës që u zu “me presh në dorë” me 700.000 euro të vjedhura. Dhe sepse u ngritët kundër kësaj, unë ju vras. Domethënë ky është monarku ynë i plotfuqishëm, që edhe na vjedh, edhe na grabit, edhe na vret. Ky krim duhet dënuar i pari. Duke u dënuar ky krim i 21 janarit dhe duke shkuar në burg të përjetshëm Sali Berisha, atëherë SPAK duhet të vazhdojë edhe me të tjerët dhe pastaj ky vend do të qetësohet e do të fillojë të paqëtohet. Do të fillojnë të vijnë edhe ata që kanë ikur nga politikat e mbrapshta antishqiptare të atij sistemi të kalbur që ndërtoi Berisha me kompaninë e tij.

-Ku ndodhen sot hetimet për dosjen Haklaj?

Idajet Beqiri: Është një dosje që të paktën ka tre vjet që po vazhdojnë hetimet dhe janë bërë goxha hetime. Por “foleja e grerëzave” është e rrezikshme dhe këtë rrezikshmëri e ka më shumë familja Berisha dhe Berisha si urdhërues i tyre. Kuptohet, ka dhe vështirësi se një pjesë e ekzekutorëve nuk janë më në jetë sot sepse edhe ata kanë ngrënë plumbin e kanë shkuar “me të shumtit” në shenjë hakmarrjeje. Por çështja po hetohet dhe, në dijeninë time edhe si avokat i familjeve Haklaj, dy procese të mëdha që janë hapur në këtë drejtim janë thuajse drejt zbardhjes së plotë. Sepse ata që kanë qenë dëshmitarë okularë dhe ata që kanë pasur prova (qoftë edhe të paditura më parë por që i kanë ruajtur derisa të vinte një ditë e mbarë që të ndëshkohej krimi, pasi s’kishin besim në kohën kur Berisha ishte në pushtet), tashmë i kanë dorëzuar në SPAK.

Kam parasysh dëshminë për vrasjet e Tropojës të disa dëshmitarëve okularë, posaçërisht të njërit që ka ardhur nga Franca dhe për tri ditë me radhë ka dëshmuar në SPAK faqe të tëra. Kam parasysh 139 faqet e deklarimeve të hollësishme me prova të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhisë, i cili i ka parë vetë ngjarjet dhe ku në disa prej tyre ka qenë edhe i urdhëruar të marrë pjesë. Dhe mbi të gjitha motrat e katër vëllezërve Haklaj dhe motrat e dy vëllezërve të tjerë Haklaj (kushërinj të parë të Cenit e Sokolit), për orë të tëra e kanë furnizuar SPAK-un me materiale të mirëfillta hetimore, saqë thuajse po zbardhet e do të marrë ndëshkimin e duhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here