Google search engine
Home Kulture “Otello” nga Shekspiri në skenë në sezonin e ri artistik të teatrit

“Otello” nga Shekspiri në skenë në sezonin e ri artistik të teatrit

0
25

Nga Julia Vrapi

Sezoni i ri artistik i Teatrit Kombëtar, që pritet të nisë pas disa javësh do të sjellë sërish në skenë një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë botërore. Tragjedia “Otello” nga William Shakespeare, e cila shënoi premierën vitin e kaluar në skenën e këtij teatri, rikthehet për publikun si pjesë e programit artistik të këtij sezoni. Rikthimi i shfaqjes është konfirmuar edhe nga regjisori Qëndrim Rijani, i cili sjell tragjedinë e njohur të Shekspirit me një kastë aktorësh të njohur.

“Shfaqja do të rikthehet sërish në skenë, por periudhën nuk e di akoma, sepse nuk ka dalë repertori, në parim është thënë në tetor”, shprehet regjisori Qëndrim Rijani, i cili me këtë shfaqje më parë u mirëprit nga publiku. Rikthimi i “Otellos” në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë sjell në jetën artistike një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore, një tragjedi që vijon të mbetet aktuale përmes temave mbi dashurinë, pushtetin, xhelozinë dhe marrëdhëniet e ndërlikuara njerëzore.

Përmes kësaj shfaqjeje, publiku përballet sërish me një vepër që zbulon përplasjet, konfliktet dhe pasojat tragjike të tyre.“Otello” nga William Shakespeare, përkthyer nga Fan Noli, mbetet një nga kryeveprat e teatrit botëror, ku përplasjet mes personazheve çojnë drejt shkatërrimit tragjik. Me regjinë e Qëndrim Rijanit, “Otello” vjen në skenë me një qasje bashkëkohore.

Leximi i Shekspirit nga Rijani në skenë

RegjisoriQëndrim Rijani ka një përvojë të mëparshme me veprat e Shakespeare-it, përmes “Tregtarit të Venedikut”, “Makbethit” dhe “Jul Cezarit”. Sipas tij, çdo vepër e dramaturgut të madh hap një univers të ri, por “Otello” ka një veçanti të rrallë. Ai e cilëson këtë vepër si një nga ato, ku William Shakespeare arrin ekuilibrin më të madh mes tragjedisë politike dhe asaj familjare.

Ajo që e ka bërë këtë realizim të veçantë për të është fakti se, në dukje kemi një histori xhelozie, por në thelb kemi historinë e një njeriu që shkatërrohet nga ndjesia e mospranimit. Kjo temë, sipas regjisorit lidhet drejtpërdrejt me realitetin tonë bashkëkohor, një qëndrim që ai e ka shprehur edhe më parë. Shfaqja bashkon në skenë një kastë aktorësh të njohur dhe një ekip krijues me emra të spikatur të teatrit.Në kastin e aktorëve të shfaqjes janë: Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Luli Bitri, Viktor Zhusti, Artan Imami, Florian Agalliu, Genti Deçka, Alert Çeloaliaj dhe Krist Lleshi.

Ekipi krijues përfshin skenografin Valentin Zvetozarev, kostumografen Marije Pupuçevska, kompozitorin Endri Sina, koreografin Artan Ibërshimi dhe asistentët e regjisorit Trista Lulo dhe Ulpianë Maloku.Krijimtaria e regjisorit Qëndrim Rijani është zhvilluar në një hapësirë të gjerë ndërkombëtare, me prezantime në festivale në Kroaci, Zvicër, Rusi, Turqi, Hungari, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bulgari. Në qendër të punës së tij qëndrojnë autorët e mëdhenj dhe kryeveprat e dramaturgjisë botërore, përfshirë edhe William Shakespeare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here