Pas krizës së thellë të regjistruar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, ku u njoftua largimi i saj nga të gjitha forumet e larta drejtuese të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka zgjedhur të mos marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar dhe punimet e sotme të Kuvendit.
Gjatë paradites së sotme, teksa grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh për të diskutuar projektbuxhetin 2027 dhe paketën e re fiskale, ra në sy mungesa e plotë e ish-kryetares së Kuvendit. Emri i saj nuk u komentua nga kryeministri Edi Rama apo deputetët e tjerë, duke ruajtur një heshtje totale mbi fatin e saj politik.
Kjo lëvizje vjen si një përgjigje e heshtur pas debateve me tone të ashpra me kryeministrin Rama. Ky i fundit, gjatë fundjavës kërkoi përjashtimin e saj nga postet kyçe drejtuese, përfshirë Asamblenë, Kryesinë dhe rolin e koordinatores politike të Tiranës. Përplasja kulmoi me replika të forta dhe krahasime historike midis “Skënderbeut dhe Mamicës”, ku Spiropali sfidoi hapur kreun e qeverisë duke u shprehur: “Nëse kritika është arsye për përjashtim, më përjashto”.









































