Monumenti i Pavarësisë në Tiranë, i përuruar më 28 nëntor 2012, po përballet me probleme të dukshme të mirëmbajtjes, të reflektuara në dëmtimin e veshjes së tij dhe shkëputjen e pllakave. Gjendja e monumentit ka rikthyer vëmendjen te mirëmbajtja e veprave të artit në hapësirat publike dhe përgjegjësia për mbrojtjen e tyre. Studiuesi i artit Agim Janina shpreh shqetësimin për degradimin e monumentit. Reagimi i studiuesit të njohur Agim Janina vjen kur pas disa ditësh shënohet dhe Dita e Pavarësisë dhe e Çlirimit që mbahen në datat 28-29 Nëntor në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Në 28 nëntor të vitit 2012 u bë dhe inaugurimi i Monumentit të Pavarësisë në Tiranë, i cili sot përballet me probleme.
Në reagim e tij, studiuesi i artit Agim Janina sjell në vëmendje problemet që shoqëruan Monumentin e Pavarësisë, ku sipas tij me kalimin e kohës edhe agjentët atmosferikë ndikuan në gjendjen e tij. “Ç’ është kjo hata?! Monumenti Pavarësisë në Tiranë është inauguruar në 28 Nëntor 2012. Monumenti është 6.5 metra i lartë dhe 5.5 metra i gjerë, dhe peshon 15 tonë. U krijua nga artistët Visar Obrija dhe Kai Kiklas nga Austria”. Që në ditët e para pas përurimit, për turp e faqe të zezë, u kthye në një WC (më falni për shprehjen), sa detyroi autoritetet përkatëse të ndërhynin dhe për të ndaluar një gjë të tillë, monumenti u fut ndërmjet një pellgu me ujë, që askush të mos i afrohej e ta ndynte. Me kalimin e kohës agjentët atmosferikë ndikuan rëndshëm duke e nxirë e nxirë çdo ditë, që edhe pse u ndërhy, u bë më keq”, shprehet Janina në një reagim të tij. Studiuesi ka ndarë edhe fotografi të monumentit në rrjetet sociale, duke vënë në dukje përkeqësimin e gjendjes së veprës me kalimin e viteve.
Monumenti i Pavarësisë, larg shkëlqimit të dikurshëm
Studiuesi i artit Agim Janina herë pas here ka reaguar për mirëmbajtjen e veprave të artit në vendin tonë, duke sjellë në vëmendje dhe përgjegjësitë e institucioneve përkatëse. Në reagimin e tij për Monumentin e Pavarësisë, ai ndalet te dëmtimet, pllakat e shkëputura dhe mungesa e reagimit sipas tij përballë degradimit. “Sot është në gjendje të vajtueshme, është përdhunuar egërsisht e jo vetëm ngjyra e artë e tij është nxirë plotësisht, por i janë shkulur edhe pllakat, nga ku duket armatura mbajtëse. Kjo gjë ka ndodhur e ndodh përpara syve të të gjithëve që nga i pari i vendit e deri tek kalimtari më i zakonshëm që kalon aty dhe askush nuk pipëtin. Heshtje ogurzezë dhe përtej fyerjes. Sipas shtypit monumenti ka kushtuar 57 milion lekë të reja. E gjithë struktura është prodhuar në Austri. Të gjitha janë bërë me laser”, shprehet Agim Janina në rrjete sociale.

Më tej, Janina shpreh keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet monumenti dhe mungesën e kujdesit ndaj një vepre me rëndësi historike kombëtare. “Të thuash turp është më e pakta, sepse turpëron vetë turpin. Një nga ngjarjet më të shquara, Monumenti i Shtetit të Parë Shqiptar duket sikur mbi të kanë kaluar hordhitë më të egra e më mizore të kohëve, por heshtja dhe lënia në atë shpërfytyrim është përtej tyre!”, shprehet studiuesi Janina. Reagimi i studiuesit Janina në lidhje me Monumentin e Pavarësisë në Tiranë është në vijim dhe të atyre më parë, ku ai ka theksuar se një pjesë e monumenteve dhe skulpturave në vendin tonë nuk marrin kujdesin e nevojshëm, ndërsa disa prej tyre janë përballur edhe me dëmtime. Më herët, Janina ka përmendur edhe bustin e poetit Andon Zako Çajupi në Tiranë, si dhe vepra të tjera që kërkojnë ndërhyrje dhe mirëmbajtje të vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse. Për nevojën e një monitorimi në të gjithë vendin nga institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Kulturës, janë shprehur edhe artistë, autorë veprash dhe profesionistë të tjerë të fushës, të cilët ngrenë shqetësimin për mungesën e kujdesit të mjaftueshëm nga bashkitë.
Veprat e artit në hapësirat publike, nevoja për kritere të qarta dhe vlerësim profesional
Përveç problematikave që lidhen me mirëmbajtjen, Janina ka folur më herët edhe për çështjen e vendosjes së veprave të artit në hapësirat publike, duke vënë në dukje mungesën e kritereve të qarta për përzgjedhjen, vlerësimin dhe realizimin e tyre. Sipas Janinës, komisionet profesionale duhet të përcaktojnë jo vetëm figurat që meritojnë të vendosen në hapësirat publike, por edhe formën artistike që duhet të marrë secila vepër. “Komisionet profesionale në përcaktimin e figurave që duhen trajtuar si monumente do të jenë ata që do të bëjnë edhe një klasifikim se kujt i duhet bërë një kokë, kujt një bust, kujt një shtatore dhe kujt një monument shumëfigurësh në rastin e ndonjë ngjarjeje historike.
Mungesa e komisionit vlerësues ka sjellë që kemi edhe raste kur nga të afërm janë bërë monumente për figura që nuk mbajnë peshën për monumentin që u është kushtuar, si dhe kemi edhe ndërhyrje politike për figura të tilla që nuk kanë rrezatim mbarëshoqëror për vlerën që kanë, por janë ngritur thjesht për përfitime politike”, shprehej Janina para disa ditësh. Debati për këtë çështje u rikthye në vëmendje edhe pas prezantimit të udhëzimit të ri që u bë me dije në muajin gusht, i nënshkruar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, që përcakton procedurën që duhet të ndiqet për vendosjen e monumenteve, skulpturave, muraleve dhe instalacioneve në hapësirat publike. Sipas udhëzimit, çdo propozim do të shqyrtohet fillimisht nga bashkitë dhe më pas nga Komisioni Shtetëror i Artit në Hapësirat Publike, i cili do të vlerësojë aspektet artistike, estetike, urbanistike dhe arkitektonike të veprës.











































