Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vrasjen e Johan Zukos, ku nën akuzë është Krisjan Sterjo, shoku i tij i fëmijërisë. Sterjo përpara grupit hetimor, ka dhënë versionin e tij për konfliktin, momentin kur mori armën nga banesa dhe ndjekjen e viktimës
. Sipas gazetares Anila Hoxha, autori ka kërkuar që t’i caktohet një avokat falas, me argumentin se prindërit e tij nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar mbrojtjen ligjore. Në dëshminë e tij, Sterjo pretendon se konflikti me Johan Zukon kishte nisur rreth dy javë përpara ngjarjes. Sipas tij, shkak ishte bërë një mikeshë, të cilën ai pretendon se Zuko e kishte ngacmuar.
Sterjo ka deklaruar se i kishte kërkuar të mos e shqetësonte më dhe se gjatë konfliktit verbal e kishte goditur me pëllëmbë. Ditën e ngjarjes, sipas versionit të dhënë prej tij, Sterjo ndodhej pranë lokaleve përballë kinemasë kur pa të kalonte një automjet Mercedes-Benz C-Class të zi, që ai pretendon se përdorej ose ishte në pronësi të Zukos. Sterjo thotë se i foli dhe automjeti ndaloi, pasi synonte të sqaronte konfliktin e mëparshëm.
Ai pretendon se më pas Zuko zbriti nga makina dhe iu afrua përsëri me thikë. Sterjo ka deklaruar se e goditi me shkelm për të shmangur sulmin, ndërsa një person tjetër që ndodhej në automjet e kapi. Në konflikt, sipas tij, ndërhynë disa persona të tjerë, të cilët i ndanë. Zuko dhe personi që e shoqëronte u larguan me automjet, ndërsa Sterjo u drejtua me vrap për në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri që e mbante të fshehur.










































