Përplasja e dy periudhave historike dhe përballja me çështje të lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës janë në qendër të një vepre skenike, që ndërthur ngjarje nga historia shqiptare me jehonën e një gjyqi bashkëkohor. Vepra “Epoka para gjyqit”, me autor Ekrem Kryeziun dhe me përshtatje dramaturgjike “Dy gjyqe – një histori” nga Rozi Kostani, do të vijë premierë në skenën e teatrit Metropol në Tiranë. Drama do të vihet në skenë nën regjinë e Kostanit, ndërsa puna me aktorët po vijon në teatër. Teatri Metropol e përshkruan veprën si një përballje mes dy periudhave historike dhe dy gjyqeve, ku në qendër vendosen liria, drejtësia dhe e vërteta. Përmes këtij rrëfimi, publiku ftohet të reflektojë mbi të drejtën për të dënuar dhe guximin për të folur.
“Së shpejti në teatrin Metropol “Epoka para gjyqit”. Dy gjyqe. Dy kohë. Një histori që nuk hesht. Kur historia kthehet në gjyq, kush ka të drejtën të dënojë dhe kush ka guximin të flasë? Nga Lidhja e Prizrenit te jehona e një gjyqi bashkëkohor, dy kohë përballen në një histori ku liria, drejtësia dhe e vërteta vihen në pikëpyetje. Një histori që duhet parë, një e vërtetë që duhet dëgjuar”, thuhet nga teatri, që ka ndarë në faqen e tij dhe foto të punës së regjisores Kostani me aktorët. Në një reagim të saj më herët, Kostani është shprehur se është një vepër që i flet dhe aktualitetit sot. Me një përvojë shumëvjeçare në skenën teatrore shqiptare, Rozi Kostani ka sjellë ndër vite vepra të ndryshme skenike, duke vijuar të kontribuojë në jetën teatrore përmes projekteve të reja regjisoriale.
“Epoka para gjyqit” në programin artistik
Vepra “Epoka para gjyqit” që pritet së shpejti në skenën e teatrit Metropol i bashkohet shfaqjeve të tjera të prezantuara gjatë këtij sezoni. Më herët Kostani ka treguar se ka pasur edhe kaste të tjera të mëdha aktorësh, por kasti i kësaj radhe, në dramën që po punon për ta sjellë premierë në skenën e Metropolit është më i madhi. “Janë më shumë se 40 veprues skenikë”, thotë Kostani.
Në rolet e shfaqjes janë Ahmet Pasha, Dritan Boriçi, Vin Bejleri, Ismet Azemi, Sokol Angjeli, Marius Dhrami, Milto Kutali, Genc Fuga, Roerd Toçe, Elia Zaharia, Edvin Mustafa, Klesta Shero, Xhino Musollari, Klea Konomi dhe djali i saj Dimtri Konomi, Serxhio Danga, Urim Aliaj, Kastriot Ramollari, etj. Pas shfaqjes teatrore “Darka e thërrimeve” me regji nga Shandi Ismailaj bazuar në dramën e shkruar nga Refet Abazi, në vijim në skenë u shfaq “Sikur të isha djalë” vepër nga Haki Stërmilli, dramatizimi Ermir Nika dhe regjia Dritan Boriçi.
Në vijim, kalendari artistik i këtij sezoni përmbante edhe veprën “Nëna” shkruar nga Ruzhdi Pulaha që u soll në skenë nga regjisori Milto Kutali. Në vijim të programit artistik pas shfajqes që do të sjellë në skenë Kostani, të tjera shfaqje teatrore vepra shqiptare do të vijojnë për publikun në teatër.










































