Google search engine
Home Ekonomi Ligji i ri do të shkaktojë “tërmet” në tregun e sigurimeve, të...

Ligji i ri do të shkaktojë “tërmet” në tregun e sigurimeve, të paktën 3 kompani rrezikojnë të dalin nga loja

0
1

Tregu shqiptar i sigurimeve pritet t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila mund të ndryshojë strukturën e tij dhe të vërë në vështirësi kompanitë që nuk disponojnë kapital të mjaftueshëm për të përmbushur standardet e reja financiare.

Projektligji “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me asistencën e Bankës Botërore, vendos kërkesa më të rrepta për aftësinë paguese të kompanive, duke përafruar tregun shqiptar me regjimin evropian Solvency II.

Drafti parashikon që shoqëritë të marrin masa për forcimin e kapitalit ose uljen e rreziqeve që marrin përsipër, ndërsa për kompanitë që plotësojnë kushtet e përcaktuara parashikohen edhe afate kalimtare.

Për mospërmbushjen e kërkesës për kapitalin e aftësisë paguese, dispozitat kalimtare parashikojnë mundësinë e përshtatjes deri në fund të vitit të dytë pas vitit të zbatimit të ligjit, me kusht që kompania të raportojë progresin e saj.

Ndërkohë, mosplotësimi i kërkesës për kapitalin minimal, edhe pas afatit kalimtar përkatës, mund të sjellë revokimin e licencës nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën e përdorimit të fitimeve nga kompanitë.

Neni 178 i projektligjit ndalon shpërndarjen e dividendëve për aksionarët në rastet kur kapitali i shoqërisë është nën nivelin e kërkuar, ose kur shpërndarja e fitimit do ta ulte atë nën këtë nivel.

Ndalimi përfshin edhe paradhëniet e fitimit, si dhe pagesat që lidhen me pjesëmarrjen në fitim për drejtuesit, anëtarët e këshillit mbikëqyrës dhe punonjësit.

Në praktikë, kjo do të thotë se aksionarët nuk do të mund të tërheqin fitimet e një kompanie sigurimi duke dobësuar kapitalin e nevojshëm për mbulimin e detyrimeve ndaj klientëve.

Ndryshimet mund të detyrojnë një pjesë të kompanive të injektojnë kapital shtesë, të kufizojnë aktivitetin ose të rishikojnë modelin e tyre të biznesit.

Për kompanitë që nuk arrijnë të përshtaten, pasojat mund të shkojnë deri te humbja e licencës dhe largimi nga tregu, sipas procedurave të përcaktuara në ligj.

Reforma mund të ndikojë kështu jo vetëm në gjendjen financiare të shoqërive, por edhe në strukturën e konkurrencës në tregun shqiptar të sigurimeve, ku aktualisht operojnë 13 kompani.

Projektligji është ende në procesin e konsultimit, ndërsa data konkrete e fillimit të zbatimit të kërkesave të reja mbetet për t’u përcaktuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here