Disa prej futbollistëve të Kombëtares i kanë nisur aktivitetet me klubet e tyre dhe një pjesë kanë mundur të lënë gjurmë menjëherë në fushën e lojës, qoftë dhe në takime miqësore. Por përgjithësisht lojtarët e sulmit morën vëmendje jo vetëm me performanca e tyre, por edhe me lëvizjet në treg, sikurse ndodh me Mirlind Dakun që iu bashkua Spartakut të Moskës.
Ndërkohë, Myrto Uzuni ishte protagonist absolut i fitores 3-0 të Austin përballë Puebla në turneun Leagues Cup që zhvillohet mes skuadrave më të mira të MLS dhe atyre të kampionatit meksikan. Futbollisti i kuqezinjve shënoi të tre golat e ndeshjes me realizime spektakolare ku njëri ishte me goditje dënimi e një tjetër me një gjuajtje fluturimthi po aq të bukur.
Falë kësaj paraqitje, Uzuni u vlerësua me notën shumë të lartë 9,9 nga SOFASCORE falë statistikave që kishte regjistruar gjatë ndeshjes, ndërsa u përzgjodh edhe në formacionin e javës së dytë të turneut në fjalë. Në turneun ku marrin pjesë 18 ekipet më të mira të secilit kampionat, dje luhej turi i dytë i ndeshjeve dhe Uzuni bëri protagonistin absolut të duelit që u zhvillua në stadiumin e skuadrës së tij.
Sulmuesi i dha avantazhin skuadrës së tij që në minutën e 4-t të takimit falë një goditje dënimi të cilën ai e ekzekutoi në mënyrë perfekte. Vetëm tre minuta më vonë erdhi goli i dytë, ku ai u shfaq si një gjahtar zone për të çuar sferën në rrjetë me një depërtim në qendër. Më pas Uzuni plotësoi tregolëshin e tij në minutën e 33-të të takimit, kur pas zhvillimit të një goditje këndi, shënoi me një gjuajtje spektakolare fluturimthi, duke vulosur që në pjesën e parë të ndeshjes fitoren 3-0 të Austin.
Dakun e vlerësojnë pozitivisht
Sulmuesi Mirlind Daku pati tetë prekje të topit, një harkim të pasuksesshëm dhe dy gjuajtje drejt portës. Prej katër tentimeve për të kaluar lojtarët kundërshtar, Daku i pati dy të suksesshme. Janë këto statistikat e sulmuesit në debutim te Spartaku i Moskës të dielën mbrëma. Spartaku e humbi 2:1 derbin kundër Krasnodarit. Në Rusi kanë besim se Daku do të shkëlqejë me fanellën e Spartakut.
“Daku është lojtar shumë i mirë që patjetër do ta ndihmojë ekipin tonë. Kam parë shumë ndeshje të Rubinit dhe Daku praktikisht i vetëm e drejtoi ekipin, duke shënuar gola. Ai tashmë pati një nisje të mirë në ndeshjen e parë dhe së shpejti do të shënojë golat e parë për Spartakun”, tha mbrojtësi i Spartakut, Kristofer Ëu për “Match TV”. Edhe trajneri rus, Sergei Kiriakov, e cilësoi pozitive paraqitjen e Dakut.
Muja ikën nga Samsunspori, bëhet gati të kthehet në Belgjikë
Arbnor Muja është shumë pranë rikthimit te Sint-Truiden (STVV), pasi klubi belg ka arritur marrëveshje me Samsunsporin për transferimin përfundimtar të futbollistit kosovar. Sipas raportimeve nga Het Belang van Limburg, dy klubet kanë gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin e Mujës, i cili sezonin e kaluar luajti te STVV-ja në formë huazimi.
Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar ende. Tashmë pritet që Muja dhe drejtuesit e klubit belg të arrijnë një marrëveshje. Nëse negociatat përfundojnë me sukses, anësori kosovar do të bëhet përfundimisht lojtar i STVV-së.







































