Lojtarët e përfaqësueses tonë janë duke shqyrtuar ofertat ë kanë marrë në këtë merkato vere, ndërsa shumë të tjerë kanë nisur nga puna duke u përgatitur për sezonin e ri pasi kanë siguruar marrëveshjet me klubet ku ndodhen. Ndërkohë, referuar mediave të ndryshme sportive në Itali, Lacio po punon për të afruar në Serie A sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Armando Brojën.
Sipas Gazzetta dello Sport, klubi bardhekaltër e ka vendosur 23-vjeçarin në krye të listës së përforcimeve për repartin ofensiv. Raportohet se Bërnli është i gatshëm ta lejojë largimin e Brojës në formë huazimi, pa detyrim blerjeje, çka e bën operacionin financiarisht të favorshëm për Lacion. Broja iu bashkua Bërnlit verën e kaluar, por pas rënies së klubit nga Premier League në Championship, e ardhmja e tij mbetet e hapur, ndërsa Lacio po përpiqet ta transferojë në kampionatin italian. Sulmuesi i Kombëtares gjithashtu prej kohësh ndiqet edhe nga Kaliari, që gjithashtu militon në Serie A.
E vërteta e dëmtimit dhe mungesa në ekipin e Bërnlit
Për dy ditë me radhë qarkulloi lajmi se Broja nuk ishte në planet e trajnerit të Bërnlit për sezonin e ri. po si qëndron e vërteta për mungesën e futbollistit në radhët e klubit anglez? Sipas mediave, Armando Broja nuk ishte i përjashtuar nga skuadra, ndërsa Bërnli luajti miqësoren me Ajaksin. Kjo ishte pikëpyetja e madhe, pasi sulmuesi i Kombëtares nuk u pa në listë dhe më parë nuk ishte raportuar për dëmtim.
Në fakt rezulton të jetë sërish dëmtimi, që e mban jashtë fushës së blertë. Trajneri i ri i Bërnlit ka sqaruar situatën pas humbjes 2 me 1 në Holandë, ndërsa duket e pabesueshme se sa po penalizohet Broja nga dëmtimet. Niki Hajen shtoi se Broja do të qëndrojë jashtë për disa javë. “Broja ka një dëmtim të lehtë, ndaj do të mungojë për disa javë”, u shpreh shkurtimisht tekniku belg. Emri i 24-vjeçarit ndërkohë qarkullon në Seria A. Kujtojmë se te Bërnli e lidh një kontratë e vlefshme deri në vitin 2030. Dhe nëse largohet, me shumë gjasa do të jetë si huazim.
Jasir Asani pushton rrjetin me komentet që merr nga tifozët e Esteghal
Ndërkohë që të gjithë vëmendjen dje e mori situata e Brojës, nga legjionarët nuk qëndroi pas edhe sulmuesi i krahut, Jasir Asani, i cili po përpiqet të përgatitet si duhet për sezonin e ri në Iran. Në fakt, Jasir Asani konfirmoi vetë ditën e djeshme rikthimin tek Esteghal në kampionatin iranian. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare publikoi një mesazh përmes rrjeteve sociale. Kaq ka mjaftuar që mijëra tifozë të Esteghlal të shpërthenin me komente.
Rreth 17 mijë e 700 komente janë regjistrua vetëm te postimi në fjalë. Esteghlal gëzon shumë mbështetje në Iran. Tifozët nuk e kishin pritur mirë lajmin për largimin e Asanit, ndërsa ky i fundit u kthye pasi situata u rregullua. Sulmuesi shqiptar ka edhe një vit të mbetur kontratë. Nga edicioni i kaluar ka kujtimin e 13 golave dhe 4 asistimeve, para se kampionati të ndërpritej në muajin shkurt, si pasojë e luftës mes Iranit dhe SHBA-së. Ai shpreson që të luajë e të rikthehet sërish në Kombëtare.





































