Opera “Rozafa”, një vepër që solli në skenë një nga legjendat më të fuqishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Vepra operistike me muzikë të Ndoc Pistullit dhe libret të Zef Zorbës shënoi premierën botërore mbrëmjen e 22 korrikut në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Një vepër e shkruar dhe kompozuar në vitin 1969, që erdhi në skenë dhe si një nga momentet e veçanta këtë sezon për publikun.
Artistët sollën në skenë legjendën e njohur shqiptare “Rozafa”, ku historia dhe emocionet e muzikës u ndërthurën në një përjetim skenik. Shfaqja operistike u drejtua muzikalisht nga Gridi Kraja, ndërsa regjia dhe skenografia mbajnë firmën e Andis Gjonit. Në role interpretuan solistët Nina Muho, Denis Skura, Armando Likaj, Solen Alla dhe Bledar Domi, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Premiera e operës “Rozafa” këtë korrik u shfaq në sallën plot me publik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku çdo notë, çdo fjalë dhe çdo interpretim solli emocionin e një historie të pavdekshme.
Kostumografia u realizua nga Iliriana Basha, dirigjente kori Suzana Turku, koncert maestër Fiorda Veizaj, koreografia nga Elona Beqiraj, mjeshtër i luftimeve Florian Agalliu. Si regjisor dhe skenograf Andis Gjoni e solli këtë vepër në skenë në vijim dhe të tjerë projekteve të suksesshme që ka realizuar në aktivitetin artistik. Premiera e “Rozafës” ishte një nga ngjarjet e këtij sezoni, duke sjellë një vepër të krijuar prej vitesh, por të prezantuar për herë të parë për publikun.







































