Gjermania dështoi në Kupën e Botës, duke u eliminuar që në fazën 1/16 e aktivitetit, madje ndodhi një eliminim nga Paraguaji, në një ndeshje ku gjermanët shiheshin favoritë absolutë për fitore. Ky dështim nga brenda radhëve të skuadrës gjermane u justifikua me raportet e vështira që kishin lojtarët me familjarët e tyre dhe me vetë stafin teknik të përfaqësueses, por specialistët mendonin se Gjermania nuk pati fuqinë e duhur të imponohet në këtë Botëror, ishte larg pritshmërive të publikut të saj, pavarësisht ecurisë së mirë në fazën e grupeve.
Ndërkohë, me dorëheqjen e Nagelsmanit u hap rruga për trajnerin e ri. Referuar vetë mediave gjermane, Jurgen Klop është vetëm një hap larg marrjes së drejtimit të kombëtares së Gjermanisë. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka thirrur për nesër në orën 11:00 një konferencë për shtyp në selinë e saj në Frankfurt, ku ish-trajneri i Liverpulit do të prezantohet si pasardhësi i Julian Nagelsman. Edhe pse emri i tij nuk u përmend në ftesën zyrtare, federata i ka fshirë të gjitha dyshimet mbi këtë emërim. Marrëveshja, e cila përflitej prej ditësh, u konfirmua më tej nga vetë fjalët e Klop para finales së Kupës së Botës, ku deklaroi: “Nuk jemi larg deklarimit të diçkaje.
Kjo duhet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.” Orët e fundit janë përcaktuar detajet e fundit, falë edhe mbylljes së marrëdhënies së tij me grupin Red Bull, ku ai mbulonte rolin e shefit global të strategjisë së futbollit. Para prezantimit, bordi mbikëqyrës dhe aksionerët e DFB-së duhet të miratojnë formalisht kontratën, e cila sipas zërave do të ketë kohëzgjatje deri në Kupën e Botës 2030. Drita e gjelbër konsiderohet thjesht një formalitet. Drejtuesit e DFB-së, të udhëhequr nga presidenti Bernd Njundorf dhe zëvendëspresidenti Hans-Joakim Vatzke, e kishin piketuar Klopp-in si zgjedhje të parë menjëherë pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës përballë Paraguait dhe dorëheqjes vijuese të Nagelsman.
Sipas të përditshmes Bild, për të zgjidhur aspektet e fundit të largimit të Klop nga Red Bull, një fondacion i lidhur me kompaninë do të marrë një donacion prej një milion eurosh. DFB nuk ka bërë komente mbi detajet e marrëveshjes. Debutimi i Klop në stolin e Gjermanisë është parashikuar për më 24 shtator në Amsterdam kundër Holandës, në kuadër të Ligës së Kombeve. Më pas do të vijojnë përballjet me Greqinë, Serbinë dhe sërish me Greqinë. Ndër vendimet e para të trajnerit të ri do të jetë zgjedhja e portierit titullar pas tërheqjes së Manuel Nojer, si dhe përcaktimi i listës së lojtarëve për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.







































