Google search engine
Home Kulture Trashëgimia fotografike në rrezik, “Marubi” thirrje për identifikimin dhe dhurimin e arkivave...

Trashëgimia fotografike në rrezik, “Marubi” thirrje për identifikimin dhe dhurimin e arkivave të fotografëve shqiptarë

0
28

Nga Juljana Vrapi

Arkivat fotografike shqiptare rrezikojnë të humbasin vlerën e tyre historike për shkak të mungesës së kushteve të përshtatshme të ruajtjes dhe konservimit. Negativët, stampimet origjinale, albumet dhe dokumentet e studiove fotografike përbëjnë dëshmi të pazëvendësueshme të kujtesës kolektive, por shumë prej tyre vijojnë të mbeten të ekspozuara ndaj dëmtimit me kalimin e kohës. Përballë kësaj problematike, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër hapi disa ditë më parë thirrjen publike “Shpëto arkivin tënd” për identifikimin, ruajtjen dhe dhurimin e arkivave të fotografëve shqiptarë.

Muzeu shprehet se negativët, stampimet origjinale (vintage prints), diapozitivët, albumet fotografike dhe dokumentacioni i studiove fotografike përfaqësojnë objekte unike, të cilat mbajnë informacion të pakthyeshëm mbi autorin, procesin fotografik, teknologjinë e përdorur dhe kontekstin historik të krijimit të tyre. “Sot, një pjesë e konsiderueshme e arkivave fotografike vazhdon të ruhet shpesh në kushte që rrezikojnë dëmtimin ose humbjen e tyre përfundimtare për shkak të mungesës së kushteve të përshtatshme të konservimit”, thuhet nga muzeu “Marubi”. Në kuadër të misionit të tij për mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë fotografike shqiptare, muzeu “Marubi” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që zotërojnë materiale fotografike me vlerë historike, artistike ose dokumentare, t’i propozojnë ato për shqyrtim dhe sipas rastit për dhurim. Muzeu mirëpret propozimin për dhurim të: Negativëve në pllaka qelqi (glass plate negatives); Negativëve në film (sheet film, roll film, medium format dhe 35 mm); Diapozitivëve dhe transparencave; Stampimeve origjinale (vintage prints); Albumeve fotografike historike; Kontakt-kopjeve (contact prints); Dokumentacionit të studiove fotografike (regjistra, korrespondencë, etiketa, vula dhe zarfe); Pajisjeve dhe aparaturave fotografike me vlerë dokumentare; Çdo materiali tjetër që lidhet me historinë e praktikës fotografike shqiptare.

 Procesi i vlerësimit të materialeve

Muzeu “Marubi” në Shkodër  thotë se materialet do të vlerësohen nga specialistët dhe nëse plotësojnë kriteret, do të pranohen dhe do të bëhen pjesë e koleksionit të muzeut. “Çdo material i propozuar do t’i nënshtrohet një procesi profesional vlerësimi nga specialistët e Muzeut, në përputhje me politikat e zhvillimit të koleksioneve muzeale. Vlerësimi bazohet në autenticitetin, proveniencën (prejardhjen), integritetin fizik, rëndësinë historike, artistike dhe dokumentare, si edhe potencialin kërkimor të materialit. Përparësi do t’u jepet negativëve dhe stampimeve origjinale të autorëve, veçanërisht atyre që përfaqësojnë kontribute të rëndësishme në historinë e fotografisë shqiptare dhe që plotësojnë ose pasurojnë koleksionin e muzeut.

Pranimi i materialeve në koleksion realizohet vetëm pas përfundimit të këtij procesi të vlerësimit profesional”, vijon më tej muzeu. Ndër të tjera muzeu shprehet se materialet do të ruhen, dokumentohen dhe do të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare për kërkime, ekspozita dhe edukim. Me këtë nismë, muzeu “Marubi” synon të shpëtojë nga humbja materiale të rëndësishme fotografike dhe t’i ruajë ato si dëshmi të historisë dhe kujtesës shqiptare për brezat e ardhshëm. Kontributi i qytetarëve shihet si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë fotografike kombëtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here