Lojtarët shqiptarë që janë cilësorë nuk luajnë vetëm në ligat e mëdha europiane. Një pjesë e futbollistëve të Kombëtares luajnë edhe në kampionate jashtë Europës ku më cilësori prej tyre duket të jetë sulmuesi i krahut, Jasir Asani, që luan me skuadrën e Esteghal në Iran. Në fakt ai nuk ftohet në Kombëtare prej gati dy vjetësh dhe kjo lidhet me minutazhin e paktë dhe me faktin se klubi ku aktivizohet nuk ka nivelin e klubeve europiane. Silvinjo në ndeshjet e fundit dhe tani Maran e kanë lënë në hije lojtarin që ngrinte peshë tifozët kuqezi me golat e tij spektakolarë nga goditjet diagonale e harkore me të majtën.
Në fakt, referuar statistikave dhe nivelin të performancës, së bashku me minutazhin që ka në fushë, Jasir Asani duket se ka kthyer Ligën e Kampioneve të Azisë në turneun e tij të preferuar, pasi shënon atje gola me rregullsi. Pasi e bëri këtë disa vite më parë me Guangzhu të Koresë së Jugut, sulmuesi po e përsërit edhe me Esteghlal të Iranit, me të cilin shënoi edhe në javën e parë të fazës në grup të aktivitetit.
Në ndeshjen e sotme ndaj Al Gharafa në transfertë, Asani nuk ishte përzgjedhur në formacionin titullar, por u aktivizua në minutën e 32-të. Atij iu deshën vetëm 5 minuta në fushë për të lënë shenjën e tij me një aksion tipik nga e djathta dhe një gjuajtje spektakolare me të majtën që përfundoi poshtë traversës pranë shtyllës së largët.
Një gol spektakolar, i cili ishte i dyti në këtë edicion për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, i cili ndonëse po shënon me rregullsi në radhët e klubit të tij, nuk u preferua nga trajneri Maran në grumbullimin e Ligës së Kombeve.
Arbitrat shqiptarë përzgjidhen për të gjykuar në Europa dhe Conference League
Ndërkohë që Jasir Asani po rrit volumin e tij të lojës dhe të treguesve sportivë në fushë, duket se janë arbitrat shqiptarë së fundmi që marrin vëmendje në ndeshjet ndërkombëtare. Arbitrat shqiptarë do të jenë në fushë të enjten në dy ndeshje të kompeticioneve europiane, UEFA Europa League dhe UEFA Conference League, të programuara për t’u zhvilluar në orën 18:45. Në UEFA Europa League, Enea Jorgji do të jetë arbitri kryesor i ndeshjes Torreense – Sunderland, që do të zhvillohet në stadiumin “Estádio Municipal de Leiria”.
Në këtë takim, dy asistentët e Jorgjit janë Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa Juxhin Xhaja do të jetë arbitri i katërt. Albert Doda është caktuar në rolin e AVAR. Ndërkohë, në UEFA Conference League, Florian Lata do të drejtojë sfidën Riga FC – FC Kairat Almaty, e cila do të luhet në stadiumin “Skonto Stadions”, në orën 18:45.
Lata do të ketë në krah asistentët Erind Burgu dhe Ilir Tartaraj, ndërsa Andi Koçi do të jetë arbitri i katërt. Kreshnik Bajramaj është caktuar në sistemin VAR, ndërsa Olsion Yzeiraj në rolin e AVAR. Angazhimi i arbitrave shqiptarë në këto dy kompeticione europiane përbën një tjetër vlerësim për arbitrimin shqiptar dhe dëshmon rritjen, zhvillimin dhe besimin që ata gëzojnë në arenën ndërkombëtare.







































