Google search engine
Home Kulture Kënga dhe vallja shqiptare në TKOBAP, “Mrekullitë e Arbërisë” në një mbrëmje...

Kënga dhe vallja shqiptare në TKOBAP, “Mrekullitë e Arbërisë” në një mbrëmje kushtuar traditës

0
26

Këngët dhe vallet tradicionale shqiptare u sollën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor përmes koncertit “Mrekullitë e Arbërisë”. Artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, në bashkëpunim me Ansamblin “Gurra e Kurbinit”, interpretuan pjesë që pasqyrojnë larminë e traditave, ritmeve dhe kostumeve popullore shqiptare, duke e kthyer mbrëmjen në një prezantim të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Të ftuar në këtë koncert mbrëmjen e 13 tetorit ishin dhe të tjerë artistë të njohur. Polifonia, energjia e K’cimit të Tropojës, hijeshia e xhubletës, madhështia e qyteteve të gurit dhe tradita e lashtë e transhumancës u ndërthuren në një spektakël kushtuar shpirtit të trashëgimisë sonë kombëtare. Një udhëtim artistik drejt rrënjëve të identitetit tonë, përmes thesareve shqiptare të shpallura pasuri e njerëzimit nga UNESCO, thuhej më herët nga TKOBAP. Koncerti “Mrekullitë e Arbërisë” u soll në skenë pas turit artistik që Ansambli Popullor zhvilloi në shtator në Itali. Gjatë këtij turneu, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore prezantoi këngët, vallet, kostumet dhe traditat shqiptare në qytetet Brescia, Torino, Pordenone dhe Rovereto.

Aktiviteti artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore do të vijojë edhe në muajt në vazhdim, me koncerte dhe veprimtari që synojnë promovimin e folklorit dhe traditave shqiptare. Përmes këngës, valles dhe kostumeve popullore, ansambli vijon të përcjellë trashëgiminë kulturore kombëtare te publiku vendas dhe ai ndërkombëtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here