Google search engine
Home Sport Egnatia sot përballë Midtjylland në Conference League, ndeshja në “Air Albania”

Egnatia sot përballë Midtjylland në Conference League, ndeshja në “Air Albania”

0
10

Egnatia do të nisë ditën e sotme një kapitull të ri në historinë e saj, duke debutuar në fazën e ligës të UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë do të përballen me skuadrën daneze të Midtjylland, në ndeshjen e parë të këtij kompeticioni, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, në orën 18:45. Pas një rrugëtimi të suksesshëm në fazat kualifikuese, skuadra rrogozhinase ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për klubin dhe futbollin shqiptar. Për Egnatian, kjo sfidë përfaqëson një mundësi për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën europiane dhe për të nisur me ambicie këtë aventurë historike. Përballja me Midtjylland do të jetë një test i rëndësishëm për skuadrën shqiptare, që synon të bëjë një paraqitje sa më të mirë në këtë kompeticion europian. Biletat për ndeshjen Egnatia – Midtjylland janë në shitje online në ebileta.al, si dhe në pikën fizike të shitjes pranë stadiumit “Air Albania”. Takimi do të nisë në orën 18:45, ndërsa mbështetja e tifozëve do të jetë e rëndësishme për Egnatian në këtë sfidë historike në Europë.

Ndeshja në pikëpyetje

Duke parë situatën e krijuar nga protestat e studentëve në Tiranë, UEFA është alarmuar dhe ka kërkuar një raport për situatën. Deri vonë dje ishte në pikëpyetje zhvillimi i ndeshjes. Egnatia madje doli me një njoftim për mediat. Klubi bëri me dije se zhvillimi i ndeshjes nuk paraqet rrezik. Gjithashtu rrogozhinasit bëjnë me dije se stërvitja e planifikuar ditën e djeshme nuk u zhvillua. “Për shkak të zhvillimeve të fundit dhe situatës me protestat në Tiranë, KF Egnatia nuk ka zhvilluar stërvitjen, e cila ishte programuar në orën 18:30. Fatmirësisht zhvillimi i ndeshjes nuk paraqet rrezik dhe do të vazhdojmë sipas programit”, thuhet në njoftim.

Pritshmëritë

Për herë të parë, një skuadër shqiptare do të luajë në këtë fazë të Conference League. Në të njëjtën kohë, Egnatia bëhet klubi i dytë nga Shqipëria që arrin në fazën kryesore të një kompeticioni madhor europian, pas Skënderbeut, që shkroi historinë në sezonin 2015–2016, kur u bë skuadra e parë shqiptare në grupet e Europa League. Korçarët u rikthyen në këtë fazë edhe në sezonin 2017–2018. Rrugëtimi i Egnatias drejt këtij suksesi nuk ishte i lehtë. Pas kalimit të kundërshtarëve në kualifikueset europiane, rrogozhinasit realizuan një përmbysje të madhe ndaj Shamrock Rovers. Humbja 3–1 në ndeshjen e parë u pasua nga një fitore 5–1 në shtëpi, duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 6–4. Ëndrra për të luajtur në fazën e ligës së Europa League u ndërpre në play-off, ku Egnatia u eliminua nga norvegjezët e Lillestrøm.

Megjithatë, skuadra shqiptare kishte siguruar tashmë një vend në Conference League, duke e kthyer këtë sezon në një moment historik për klubin. Tashmë, përballë Egnatias janë gjashtë sfida europiane, me kundërshtarë si Midtjylland, Braga, Aarhus, Universitatea Craiova, Lincoln Red Imps dhe Kauno Žalgiris. Sfida e parë luhet më 15 tetor, në Rrogozhinë, ndaj Midtjylland, në një tjetër provë të rëndësishme për skuadrën që synon të tregojë se mund të konkurrojë edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here