Për mua do të mbetet në kujtesë data 1 korrik e vitit 2025, kur së bashku me kompozitorin Ludwig Göransson dhe ekipin e tij të regjistrimit, për pesë orë punë intensive, hodhëm pjesë të ndryshme me instrumentet popullore. Ishte një punë e lodhshme, por shumë e bukur. Falënderoj z. Ludwig Göransson, që nëpërmjet punës së tij të palodhur, më bëri të ndihem i privilegjuar që muzika ime me instrumentet popullore dhe tingujt e mrekullueshëm të këngës labe u bënë pjesë e një projekti të madh kinematografik me artistë hollivudianë”, shprehet mjeshtri i fyellit Vendim Kapaj, i cili shton dhe se ekipi realizues ishte i mahnitur nga kjo muzikë e veçantë shqiptare dhe tregoi përkushtim maksimal gjatë gjithë procesit pesë orësh të regjistrimit.
Bashkëpunimi me kompozitorin Ludwig Göransson
Tingujt e Labërisë kanë gjetur vend në një produksion të madh kinematografik si “The Odyssey”, përmes interpretimit të mjeshtrit të fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj. Ai rrëfen se bashkëpunimi nisi pasi kompozitori Ludwig Göransson u njoh me muzikën e tij përmes rrjeteve sociale dhe daljeve televizive, duke e ftuar të sillte tingujt e traditës shqiptare në këtë projekt. “Kam dëgjuar pjesëza të muzikës së filmit dhe ato janë shumë të bukura. Është një veçori e veçantë që fyelli im, i cili i përket traditës së jugut të Shqipërisë, dallohet nga çdo interpretim tjetër. Kompozitori përfshiu muzikën tradicionale të Labërisë, por unë jam krenar që jam pjesë e një filmi madhështor, me një kompozitor të vlerësuar me çmimin “Oscar” dhe me regji të regjisorit hollivudian Christopher Nolan”, shprehet mjeshtri i fyellit Vendim Kapaj.
Në kolonën zanore të filmit “The Odyssey” kontribuojnë edhe zërat e grupit polifonik të Labërisë, me artistë të njohur të këngës labe, duke i dhënë filmit një identitet të fortë folklorik dhe autentik. Ndërsa dhe për etnomuzikologun Vasil S. Tole, i cili ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të muzikës për filmin “The Odyssey”, përfshirja e tingujve të muzikës shqiptare në këtë produksion përbën një vlerësim ndërkombëtar të vlerave të jashtëzakonshme artistike të traditës sonë muzikore. Tingujt e Labërisë, me meloditë e tyre të veçanta dhe fuqinë emocionale të polifonisë shqiptare, tashmë kanë kaluar kufijtë e vendit tonë, duke u bërë pjesë e një produksioni të madh ndërkombëtar. Përmes këtij bashkëpunimi, ata do të jehojnë në një skenë ndërkombëtare, duke përcjellë vlerat dhe pasurinë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Filmi në kinema
Filmi “The Odyssey” ka nisur tashmë shfaqjen në kinema me një kast të njohur aktorësh dhe nën regjinë e Christopher Nolan. I bazuar në poemën epike të Homerit, filmi “The Odyssey” është projekti i parë i Christopher Nolan pas suksesit të madh të “Oppenheimer” (2023), i cili u shpall fitues i çmimit “Oscar” për filmin më të mirë. Ai ndjek udhëtimin e vështirë 10-vjeçar të Odiseut për në shtëpi pas Luftës së Trojës. Filmat e regjisorit Cristopher Nolan janë vlerësuar si nga publiku ashtu edhe nga kritika për origjinalitetin, cilësinë artistike dhe efektet mbresëlënëse vizuale. Christopher Nolan konsiderohet një nga regjisorët më me ndikim të shekullit XXI, pasi ka sjellë risi në industrinë e filmit dhe ka fituar çmime të shumta ndërkombëtare për veprat e tij.







































