Nga Julia Vrapi
Romani “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit do të vijë në skenën teatrore përmes një dramatizimi që rikthen në vëmendje temat e dashurisë së ndaluar, lirisë individuale dhe përplasjes me normat shoqërore. Bazuar në romanin e Haki Stërmillit, shfaqja teatrore që pritet të ngjitet për dy mbrëmje në skenën e Teatrit Metropol në Tiranë, sjell historinë e Dijes dhe Shpendit, dy të rinjve që përballen me paragjykimet e kohës dhe luftojnë për të drejtën për të zgjedhur vetë fatin e tyre. Një histori e cilësuar si “Romeo dhe Zhuljeta” shqiptare, ajo ndërthur dashurinë, ëndrrat, dhimbjen dhe revoltën, duke sjellë në vëmendje konfliktin mes ndjenjave individuale dhe normave shoqërore. Teatri shprehet se është një vepër e shkruar dekada më parë, por që vijon të ruajë aktualitetin e saj. “Një histori e shkruar dekada më parë, por që vazhdon të flasë edhe sot. Për dashurinë. Për lirinë. Për zgjedhjen.
Një histori e vjetër. Një zë i ri. Një dashuri që ende kërkon të dëgjohet”, shprehet teatri në një reagim. Bazuar në romanin “Sikur të isha djalë” shkruar nga autori Haki Stërmilli, dramatizimi Ermir Nika, shfaqja teatrore do të vijë në skenë me regji nga Dritan Boriçi. Në rolet e shfaqjes në skenë janë Xhoana Karaj, Luna Çaushollaj dhe Joan Mezini. Skenografia në shfaqje dhe kostumet nga Saimir Ahmeti. Haki Stërmilli shkroi romane, tregime, drama, ditarë dhe artikuj publicistikë, por vepra që e bëri një emër të rëndësishëm të letërsisë shqiptare mbetet romani “Sikur të isha djalë”, botuar në vitin 1936. Romani trajton dramën e gruas shqiptare, përballjen me paragjykimet dhe kufizimet që shoqëria e kohës i impononte asaj.
Shfaqje të tjera në programin artistik
Sezoni i vjeshtës në teatrin Metropol po vijon me shfaqje të reja teatrore, duke pasuruar programin artistik me vepra të ndryshme. Pas shfaqjes “Darka e thërrimeve”, programit i shtohet edhe shfaqja “Sikur të isha djalë”, një produksion për të rinj, me regji të Dritan Boriçit, që do të ngjitet në skenën e teatrit këtë vjeshtë. Në vijim programi i teatrit përmban dhe veprën “Nëna”, një shfaqje teatrore për të rritur që do ta sjellë në skenë regjisori Milto Kutali. Ndërsa siç ka bërë më parë me dije teatri Metropol në Tiranë, në stinën e vjeshtës është edhe shfaqja “Epoka para gjyqit”, me regji nga Rozi Kostani, “Vrasës pa pagesë” gjithashtu është në programin artistik, një shfaqje për të rritur me regji nga Eglantina Tuka, por dhe regjisori Armand Bora do të sjellë në skenë shfaqjen për të rinj “Vallëzimi i fundit”.









































