Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka refuzuar kërkesën e Izraelit që t’i bashkohet luftës kundër rebelëve Huthi në Jemen, raportoi gazeta izraelite Haaretz. Sipas një burimi diplomatik të cituar nga gazeta, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i kishte ofruar Arabisë Saudite ndihmë përmes Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit të mbështetur nga Irani.
Kjo nismë synonte, ndër të tjera, forcimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe mbretërisë saudite. Megjithatë, bin Salman e kundërshtoi këtë propozim, nga frika se përfshirja e Izraelit në konflikt mund të shkaktonte reagime negative në opinionin publik saudit. Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe Netanyahu kishin shprehur prej kohësh synimin për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Marrëveshje të ngjashme me Izraelin kishin arritur më herët Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku, në vitin 2020. Megjithatë, shpërthimi i luftës në Gaza, në tetor të vitit 2023, duket se i ka penguar këto plane. Sipas Haaretz, Izraeli i kishte parë luftimet e ripërtërira mes Huthëve dhe qeverisë jemenase, të mbështetur nga Arabia Saudite, si një mundësi për të përmirësuar raportet me Riadin.
Ndërkohë, Irani i ka bërë thirrje Arabisë Saudite që të shmangë ndërhyrjen ushtarake dhe të kërkojë një zgjidhje politike. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ia ka përcjellë këtë qëndrim homologut të tij saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, gjatë një bisede telefonike të dielën.







































