Google search engine
Home Kulture Teatri Kombëtar në tetor, nga “Muzg në Kopshtin e Qershive” te premiera...

Teatri Kombëtar në tetor, nga “Muzg në Kopshtin e Qershive” te premiera e “Diaspora” dhe rikthimi i “Otellos” në skenë

0
18

Nga Julia Vrapi

“Muzg në Kopshtin e Qershive” bazuar në veprat e shkrimtarit rus Anton Chekhov dhe dramaturges amerikane Lillian Hellman ishte dhe premiera që çeli sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar në muajin shtator. Regjisorja Driada Dervishi ngjiti në skenë një vepër aktuale, që gati- gati duket si kronikë e zhvillimeve të ditës. Ndërsa në programin artistik të tetorit vjen një tjetër premierë. “Teatri di Bari”, Instituti Italian i Kulturës dhe Teatri Kombëtar do të  prezantojnë shfaqjen “Diaspora”.

Një vepër nga Fabio Pisano dhe regjisore Caterina Filograno. Një shfaqje eksperimentale, që eksploron kujtesën, identitetin dhe përvojën e largimit. Kjo shfaqje vjen premierë në skenë në mbrëmjet e datave 21, 22, 23 tetor. Kjo është premiera e dytë teatrore që vjen në skenë në sezonin artistik 2026-2027 pas “Muzg në Kopshtin e Qershive” në muajin shtator, por që vijoi dhe përgjatë mbrëmjeve të tetorit për publikun te Teatri Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë.

Shfaqja u soll në skenë me në role aktorët: Olta Daku, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Neritan Liçaj, Adem Karanga, Alesia Xhemalaj, Amos Zaharia, Florian Agalliu dhe Igli Zarka. Kjo vepër që u mirëprit nga publiku është në vijim të aktivitetit artistik të regjisores Driada Dervishi me teatrin, ku këtë sezon solli një shfaqje bazuar në veprat e shkrimtarit rus Anton Chekhov dhe dramaturges amerikane Lillian Hellman.

Rikthimi i “Otellos” në skenë

Programi artistik këtë muaj do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe veprën “Otello” të William Shakespeare, një nga tragjeditë më të fuqishme të teatrit botëror me regjinë e Qëndrim Rijanit. Aktorët Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Luli Bitri, Viktor Zhusti, Artan Imami, Florian Agalliu, Genti Deçka, Alert Çeloaliaj dhe Krist Lleshi janë në rolet e veprës.

Më herët, duke folur për konceptin regjisorial të shfaqjes “Otello”, Qëndrim Rijani është shprehur se kjo vepër mbetet aktuale edhe sot, pasi vë në pah mekanizmat e përjashtimit dhe paragjykimit që vazhdojnë të karakterizojnë shoqërinë.

“Mendoj se “Otello” është një nga veprat më aktuale të Shakespeare-it pikërisht, sepse flet për mekanizma që nuk i përkasin vetëm kohës së tij. Në qendër të leximit tim është figura e të huajit. Për mua, Otello nuk është thjesht një njeri me ngjyrë, ai është çdo individ që, pavarësisht suksesit dhe meritës së tij, vazhdon të mbetet i përjashtuar nga shoqëria ku jeton. Shfaqja fillon në kohën tonë dhe gradualisht udhëton drejt kohës së Shakespeare-it.

Kjo lëvizje është e rëndësishme, sepse tregon se mekanizmat e përjashtimit, paragjykimit dhe manipulimit nuk kanë ndryshuar aq sa mendojmë”, thotë ai. Tragjedia “Otello”, e cila shënoi premierën në maj në skenën e këtij teatri, rikthehet për publikun si pjesë e programit artistik të këtij sezoni. Me regjinë e Qëndrim Rijanit, “Otello” vjen në skenë me një qasje bashkëkohore.

Vepra teatrore me këtë rikthim të saj nga teatri do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 28, 29, 30 dhe 31 tetor për publikun. Përmes këtij programi këtë tetor, Teatri Kombëtar ndërthur veprat e dramaturgjisë klasike, si “Otello” e William Shakespeare, me krijimtarinë moderne dhe bashkëkohore, duke sjellë në skenë histori që trajtojnë çështje universale të shoqërisë dhe të natyrës njerëzore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here