Lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatet e vendeve lindore vijojnë të marrin vëmendje në shtypin vendas, sidomos në kampionatin rus dhe në kampionatet e ish-vendeve sovjetike. Duhet thënë se në kampionatin rus më i njohuri nga kuqezinjtë është Mirlind Daku, por kohët e fundit atje ka shkuar edhe Nazmi Gripshi kështu që ka një rivalitet shqiptarësh në radhët e Rubin Kazanit rus. Ndërkohë, dje, një shqiptar iu angazhua akademisë së Bajernit të Mynihut.
Gripshi vlerësohet në Rusi
Mesfushori shqiptar Nazmi Gripshi vazhdon të vlerësohet si një nga futbollistët më krijues të Rubin Kazanit, edhe pse skuadra ruse po has vështirësi në procesin e transformimit të lojës nën drejtimin e trajnerit Frank Artiga. Sipas analizave të mediave ruse, Gripshi vazhdon të jetë burimi kryesor i kreativitetit në mesfushë, duke u dalluar në këtë fazë përgatitore të Rubin Kazanit. Megjithatë, theksohet se cilësitë e tij nuk mjaftojnë për të ndryshuar të vetëm fytyrën e ekipit. “Gripshi vazhdon të duket si një grumbull energjie dhe kreativiteti, por nëse nuk do të ketë mbështetje nga pjesa tjetër e skuadrës, edhe ai do ta ketë të vështirë të bëjë diferencën”, shkruhet në analizën e publikuar për gjendjen aktuale të Rubin Kazanit. Përforcimet në krahët e mbrojtjes nuk konsiderohen të mjaftueshme për të ndryshuar identitetin e skuadrës, ndërsa problemi kryesor mbetet mungesa e një mesfushori organizator. Në këto kushte, pritshmëritë ndaj Gripshit mbeten të larta, por analistët vlerësojnë se mesfushori shqiptar ka nevojë për më shumë mbështetje në repartin e mesfushës, në mënyrë që të shfaqë plotësisht potencialin e tij dhe të ndikojë më shumë në lojën e Rubin Kazanit, i cili sezonin e ri do ta nisë me një përballje të vështirë ndaj Krasnodarit.
Ademi përgëzon Thaqin për kalimin te Bajerni
Lisian Thaçi ka bërë hapin e tij të madh në karrierë. Ai i është bashkuar Bajern Munihut, si pjesë e programit “FC Bayern Global Academy”, programi ndërkombëtar i klubit bavarez për zhvillimin e futbollistëve të rinj me potencial të madh. Rreth lëvizjes së tij reagoi edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi duke e përgëzuar atë për këtë transferim. “Talenti, por edhe puna e mirë, gjithmonë shpërblehen. Kjo po dëshmohet edhe në Kosovë, ku puna e vazhdueshme në zhvillimin e futbollistëve të rinj ka bërë që klubet e mëdha evropiane të vijnë me kampe të ndryshme, ndërsa skautët dhe trajnerët e tyre të jenë vazhdimisht në kërkim të talenteve të reja. Një prej këtyre shembujve është Lisian Thaçi, i cili tashmë është pjesë e FC Bajern Munih dhe do të vazhdojë zhvillimin e tij në një prej programeve më prestigjioze të klubit bavarez. Bajerni edhe më herët ka vlerësuar dhe zhvilluar talente me origjinë nga Kosova si Erblin Osmani dhe Ylli Gashi, ndërsa tash radha është e Lisianit. I uroj shumë suksese anëtarit të Kombëtares së Kosovës në grupmoshat e reja, në këtë rrugëtim të ri dhe të rëndësishëm. I lumtë Shkollës së Futbollit Peja dhe të gjithë trajnerëve që kanë kontribuar në formimin e tij”, deklaroi Ademi.






































