Google search engine
Home Rajoni Kosova Takim me Kurtin, Abdixhiku: Nuk na u propozua asnjë emër, s’jemi kundër...

Takim me Kurtin, Abdixhiku: Nuk na u propozua asnjë emër, s’jemi kundër as për Osmanin

0
48

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se arritja e një konsensusi politik mes partive shqiptare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës duket se është i pamundur. Pas një takimi dyorësh me kryeministrin Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku tha se çështja e presidentit mbetet shumë e vështirë në këtë fazë.

“Të them të drejtën, e shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare”, u shpreh ai pas bisedimeve. Abdixhiku shtoi se ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, por se nuk ka asnjë kandidat specifik të prezantuar deri më tani.

“Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë as s’mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë e besa as s’mund ta nominojë dikë, sepse siç e dini, duhen 30 nënshkrime”, tha kreu i LDK-së. Ai shtoi se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani. Sipas tij, ktualisht nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar firmat.

Abdixhiku theksoi se do ta njoftojë grupin parlamentar të partisë për zhvillimet e takimeve të fundit. Kujtojmë se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit skadon më 5 mars, ndërsa pa një shumicë të cilësuar (80 vota) në Kuvend, Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ose një krize institucionale të re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here