Reali i Madrid është vlerësuar gjithmonë për sulmin e tij të jashtëzakonshëm, por këtë sezon është rivalja e vjetër, Barcelona, që ka marrë flamurin e “makinerisë së golave”. Kështu, Barcelona e ka nisur sezonin në mënyrë të frikshme në La Liga, duke shënuar plot 17 gola në katër ndeshjet e para. Pjesën më të madhe të këtij prodhimi ofensiv e kanë realizuar Rafinja, Fermin Lopez dhe Lamine Jamal, të cilët së bashku kanë qenë të përfshirë në 14 gola.
Një shifër e tillë nuk ishte arritur nga asnjë treshe në katër xhirot e para të kampionatit spanjoll që nga sezoni 1958/59, kur Alfredo Di Stefano, Jose Maria dhe Ferenc Pushkash shënuan së bashku 15 gola për Real Madridin. Rafinja, një prej liderëve të Barcelonës si brenda ashtu edhe jashtë fushës, kryeson listën e golashënuesve të La Ligës me gjashtë gola dhe një asistim në katër ndeshje.
Braziliani ka marrë një rol më të avancuar në sulm dhe po e shfrytëzon në mënyrë perfekte pozicionimin më afër portës kundërshtare. Ai është bërë gjithashtu vetëm lojtari i tretë në historinë e Barcelonës që shënon në secilën nga katër xhirot e para të kampionatit. Para tij këtë e kishin bërë Ladislao Kubala në vitin 1953 dhe Lionel Mesi në sezonet 2011/12 dhe 2012/13. Por kontributi i Rafinjës nuk kufizohet vetëm te golat. Ai është një prej pikave kryesore në ndërtimin e aksioneve, në depërtimet në zonë dhe në krijimin e situatave të rrezikshme.
Fermin Lopez, 23 vjeç, ka regjistruar katër gola dhe dy asistime në katër ndeshjet e para. Ai është lojtari i parë spanjoll që arrin katër gola në katër xhirot e para të La Ligës që nga Çesk Fabregas në sezonin 2011/12. Fermin po luan kryesisht si mesfushor ofensiv, së bashku me Dani Olmo, por ndikimi i tij është shumë më i madh sesa vetëm finalizimi. Ai futet vazhdimisht në zonën kundërshtare, krijon raste dhe i jep Barcelonës një tjetër burim të rëndësishëm golash. Treshen e kompleton Lamine Jamal. 19-vjeçari ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asistim, ndërsa ka krijuar gjithashtu katër raste të pastra për gol.
Ai ka regjistruar 16 driblime të suksesshme në katër ndeshje, me një mesatare prej katër driblimesh për ndeshje. Sipas gazetës katalanase “Sport”, ndikimi i Jamalit tashmë nuk kufizohet vetëm te driblimet dhe krijimi i hapësirave. Talenti spanjoll po arrin gjithnjë e më shumë ta shndërrojë epërsinë individuale edhe në gola dhe asistime. Anthony Gordon i ka shtuar Barcelonës edhe një tjetër dimension ofensiv. Gordon ka regjistruar katër asistime në katër ndeshje dhe ishte gjithashtu protagonist në autogolin e shkaktuar ndaj Rajo Valekanos.





































