Google search engine
Home Sport Tirana gjen fitoren e parë të sezonit, Dinamo del me tri pikë...

Tirana gjen fitoren e parë të sezonit, Dinamo del me tri pikë nga dueli me Elbasanin

0
2

Kategoria Superiore po shfaq surpriza në këtë fazë të parë të saj për këtë edicion, teksa dje, skuadra që kishte futur në panik tifozët e kryeqytetit për debutimin e dobët në dy xhirot e para të garës dhe e mbërthyer në vend të fundit në renditje, shpërtheu me gola dhe një fitore spektakolare. Kështu, Tirana fitoi 4-0 dhe siguroi trepikëshin e parë për këtë sezon. Pas një nisjeje të dobët dhe me shumë pikëpyetje të këtij kampionati, dje bardheblutë shfrynë për të gjitha dështimet e mëparshme dhe morën një fitore të thellë ndaj Vorës, duke ikur nga vendi i fundit e duke u ngjitur në mestabelë.

Tirana ishte dominuese në lojë dhe e nisi spektaklin e saj të golave në minutën e 14-të kur mori avantazhin me Kish që shënoi pas një asisti të Berishës në përfundim të një aksioni personal të këtij të fundit. Bardheblutë nuk kishin ndërmend ta linin me kaq dhe në minutën e 36 dyfishuan shifrat në 2-0, këtë radhë me Redon Xhixhën i cili u shërbye nga Kish për të mposhtur portierin Harizaj. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 për Tiranën. Pas pushimit të ndeshjes, Tirana nuk e ndali vrullin e saj. Pikërisht në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Hazrollaj përfitoi nga një gabim i futbollistëve të Vorës për të shënuar golin që e çoi në 3-0 rezultatin për Tiranën. Po ky futbollist, 10 minuta nga fundi i ndeshjes plotësoi pokerin e golave për bardheblutë teksa shënoi golin e katërt pasi ekzekutoi saktë një goditje dënimi. Ndeshja u mbyll me rezultatin 4-0 për Tiranën që mori 3 pikët e para në klasifikim.

Qëndrimi i trajnerit Klafuriç

Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, foli pas fitores. “Mund të them se është vec një pjesë, por fillimisht dua të uroj lojtarët e mi. Bënë punë të mirë veçanërisht në mbrojtje. Çelësi i lojës sonë ishte mënyra si bllokuam anësorët e tyre. Ishim të organizuar dhe mjaft mirë në fazën mbrojtëse. Kjo qasje shpreh çilësinë tonë edhe në sulm. Kur fitonim topin, kishim kundërsulme të mira dhe shënuam gola. Ishte cilësia e lojtarëve tonë. Edhe idea e lojës sonë, goli i parë ishte diçka e përgatitur në stërvitje. Çfarë krijojmë në kundërsulm është cilësia e lojtarëve që kemi në sulm. Berisha i shpejtë, Xhixha ka kualitet mes linjave, Kish ka kreativitet. Hazrollaj mund të driblojë dhe godasë. Dhe ishin të aftë për të dhënë topa të saktë. Avantazhi më i madh nëse krahasojmë këto dy ndeshje, është se ne luajtëm më mirë sot”, tha Klafuriç.

Dinamo fiton me vështirësi ndaj Elbasanit

Një tjetër skuadër që bëri lëvizjen e duhur dje ishte Dinamo, e cila fitoi në një ndeshje të fortë përballë Elbasanit me rezultatin 2-1. Elbasani kaloi i pari në avantazh në minutën e 25-të. Nikaj përfitoi nga një top i gjatë në thellësi dhe, pasi doli përballë Teqjes, e kaloi topin mbi portierin e Dinamos. Reagimi i bluve erdhi në minutën e 37-të. Pas një goditjeje nga këndi, topi përfundoi te Berisha, i cili gjuajti dhe barazoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1. Në fraksionin e dytë, Dinamo kërkoi më shumë golin dhe e gjeti në minutën e 64-t. Pas një tjetër goditjeje nga këndi, Hoxhallari gjuajti me kokë dhe topi përfundoi te Vila, i cili e devijoi në rrjetë për përmbysjen e rezultatit. Elbasani tentoi deri në fund të barazonte, por Dinamo arriti të marrë fitoren, sukses që e çon në 6 pikë.

Java 3

Egnatia-Skënderbeu    2-1

Laçi-Teuta                   1-3

Vllaznia-Partizani        2-3

Tirana-Vora                 4-0

Dinamo-Elbasani         2-1

Renditja

Nr.Ekipi         Pikë

1.Egnatia         9

2.Teuta            7

3.Dinamo        6

4.Laçi              4

5.Partizani       4

6.Tirana           3

7.Vora             3

8.Vllaznia        2

9.Elbasani        2

10.Skënderbeu 1

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here