Google search engine
Home Sport Saipi lojtari i sezonit në Zvicër, Seferi i flet me vepra trajnerit...

Saipi lojtari i sezonit në Zvicër, Seferi i flet me vepra trajnerit Maran

0
26

Lojtarët shqiptarë po shkëlqejnë në Zvicër. Madje janë vetë autoritetet zvicerane të sportit që kanë nxitur të përfshijnë shqiptarët në të gjitha disiplinat sportive të përfaqësimit të tyre ndërkombëtar, veçanërisht në futboll. Së fundmi kemi një tjetër shembull suksesi. Kështu, portieri i kombëtares së Kosovës, Amir Saipi e ka marrë një çmim individual, për arritjet e tij në sezonin e kaluar. Gardiani 26-vjeçar është vlerësuar nga Sofascore, si lojtari i sezonit në Superligën e Zvicrës për sezonin e kaluar.

 Saipi sezonin që e lamë pas ishte pjesë e Luganos, për të cilin pati 23 paraqitje në elitën e futbollit zviceran. Përgjatë këtyre ndeshjeve, ai pati 83 pritje, prej të cilave 47 pritje ishin nga goditjet brenda zonës. Sipas statistikave nga Sofascore, ai pati një mesatare të ndaljes së golave prej 1.79. Gjatë 23 ndeshjeve në elitën zvicerane, ai pati shtatë porta të paprekura. Për sezonin e tij me klubin zviceran, ai u vlerësua me një notë mesatare prej 7.73 nga Sofascore.

 Amir Saipi gjatë kësaj vere kaloi nga Lugano në ligën e dytë spanjolle, te Castellon për shumën e 700 mijë eurove. Ai ka nënshkruar kontratë deri më 2030 me klubin spanjoll. Saipi e nisi karrierën e tij në akademinë e Shaufhausen, për të kaluar edhe te Uintherthuri e Zurihu, deri në transferimin e tij te Lugano në vitin 2021. Saipi është pjesë e kombëtares së Kosovës, si portier i dytë, pas Arijanet Muriqit, derisa numëron katër paraqitje me fanellën dardane. Më herët gjatë karrierës së tij, para se të kalonte te Kosova, Saipi e përfaqësoi Zvicrën U20 dhe U21.

5 gola në 6 javë, Taulant Seferi I çon sinjale trajnerit të Kombëtares, Maran

Taulant Seferi po kalon një moment fantastik te skuadra e Kajserispor, në Ligën e Parë turke. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, shënoi golin e pestë me fanellën e ekipit të ri, në triumfin 0-3 ndaj Erokspor, të vlefshëm për javën e gjashtë. 29-vjeçari tundi rrjetën në minutën e 68-të, pas një aksioni individual, duke “vulosur” shifrat 0-3. Seferi është pozicionuar në vendin e katërt në listën e golashënuesve me 5 gola, 1 më pak se Rei Manaj, që ndan vendin e parë me ish-sulmuesin e Sitit Iheanaço, i cili gjithashtu ka shënuar 6 gola.

Ibra shqiptar befason Bundesligën, gol e asist për Augsburgun

Referuar mediave sportive, Arijon Ibrahimoviq, me origjinë shqiptare, vështirë se ka mundur të mendojë fillim më të mirë të karrierës tek Augsburgu. Të dielën Augsburgu fitoi 4:1 në udhëtim ndaj Eintracht Frankfurtit. Arijoni shënoi për 1:1 në minutën e parë të pjesës së dytë, ndonëse topi i goditur me kokë prej tij u devijua rrugës për në portë. Ndërkohë pas një pasimi të Ibrahimoviqit, Augsburgu e realizoi golin e dytë, në minutën e 47-të.

 20-vjeçari e la fushën në minutën e 62-të. Por luajti mjaftueshëm që të shpallet më i miri i ndeshjes. “Goxha indiferent në pjesën e parë, pastaj Arijon Ibrahimoviqi i ndryshoi gjërat. Brenda pak sekondash në pjesën e dytë e shënoi golin e parë për Augsburgun dhe asistoi për golin e dytë”, ka shkruar “Kicker” që e shpalli më të mirin e ndeshjes. Revista e njohur gjermane e përfshiu të hënën në ekipin më të mirë të xhiros së dytë të Bundesligës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here