Komedia “Djemtë vezullues” po vijon turin në skenat teatrore. Vepra që shënoi premierën në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, më pas u shfaq dhe në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër, në muajin maj do të jetë në skenën e teatrit “Bylis” në qytetin e Fierit. Veprën e autorit Neil Simon e sjell në skenë regjisori Roland Minga dhe do të shfaqet në Fier në datat 2 dhe 3 maj. Dy miq që kanë lidhur jetën me teatrin, dy miq që e kanë konsoliduar jetën artistike në kudhrën e skenës. Nëse flet për njërin ke nënkuptuar tjetrin.
Pas 11 vitesh që nuk flasin, ringjiten përsëri në atë vend që iu ka dhënë shkëlqimin. Një grindjeje të vjetër i ka ardhur koha të zgjidhet. Dhe zgjidhja vjen pikërisht aty ku edhe u pezullua, në skenë. Dilema: se a duhet të “mënjanohen” apo jo, nëpërmjet përpëlitjes së pleqërisë dhe mos dorëzimit. Për hir të artit, gjithçka harrohet. Miqësitë që bazohen te vlera profesionale dhe njerëzore nuk vdesin kurrë. Komedia “Djemtë vezullues” e autorit amerikan Neil Simon në teatër vjen në interpretimin e Astrit Hasanit, Artan Islamit, Alba Shtëmbarit, Matilda Avdulit. Shfaqja vjen në skenë me skenografi të Drini Shehut dhe formulimi muzikor nga Artur Dhamo.
Si regjisor Roland Minga vjen me veprën “The Sunshine Boys” (Djemtë vezullues) në teatër pas komedisë “Dëshira e tretë” vepër e autorit Ferdinand Hysi. Komedia “Djemtë vezullues” është në vijim dhe të tjera shfaqjeve teatrore, që janë dhënë në skenën e teatrit “Bylis” për publikun.