Emiratet e Bashkuara Arabe pretendojnë se të premten e kaluar parandaluan një sulm të ri iranian me raketa dhe dronë, megjithëse teorikisht ishte rënë dakord për një armëpushim midis Iranit dhe SHBA-së. Ministria e Mbrojtjes e Emirateve u bëri thirrje banorëve të mos i afrohen, fotografojnë ose prekin “mbeturinat dhe pjesët që ranë pas rrëzimit të suksesshëm të raketës”. Këtë javë, ambasadori i Emirateve në OKB, Mohamed Abushabab, akuzoi Iranin për sulmin ndaj terminalit të naftës në Fujairah dhe për lëshimin e 12 raketave balistike, tre raketave kruiz dhe katër dronëve. Teherani zyrtar i mohon akuzat. Megjithëse sulmet mbeten të diskutueshme, akuzat tregojnë shqetësimin në rritje të Abu Dhabit se Emiratet po bëhen gjithnjë e më shpesh objektiv i sulmeve iraniane. Më shumë se 2,800 sulme me dronë dhe raketa janë regjistruar që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael kundër Iranit.
Çmimi i afërsisë me Izraelin dhe SHBA-në
Në vitin 2020, SHBA ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit. Sipas Michael Stephens, këshilltar i lartë për sigurinë e Lindjes së Mesme në institutin britanik RUSI, marrëdhënia me Izraelin është një nga arsyet kryesore pse Irani vazhdon të sulmojë Emiratet. “Nga perspektiva iraniane, logjika është e thjeshtë: Izraeli na sulmon, kështu që ne sulmojmë aleatët e tij”, thotë ai. Në përgjigje të sulmeve iraniane, Emiratet po bashkëpunojnë më ngushtë me Izraelin në fushat ushtarake, të sigurisë dhe të inteligjencës. Sipas portalit amerikan Axios, Izraeli ka dërguar për herë të parë pjesë të sistemit të mbrojtjes ajrore Iron Dome në Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me personel operativ. Stephens thekson se sa më afër të jenë Emiratet dhe Izraeli, aq më shumë arsye sheh Irani për të sulmuar Emiratet. Në sfond mbetet edhe mosmarrëveshja e vjetër për ishujt Abu Musa dhe Tunb.
Llogaritja e gabuar e Teheranit
Pas bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, e cila ndërpreu eksportet e naftës nga Bahreini, Kuvajti dhe Katari dhe pengoi ato nga Omani, Arabia Saudite dhe Emiratet, Abu Dhabi kërkoi me vendosmëri rihapjen e ngushticës dhe reagim më të fortë ndërkombëtar. Fjalët e zyrtarëve emiratanë kundër Teheranit ishin më të ashpra se ato të shumicës së vendeve të tjera të Gjirit. Sipas Stephens, kjo i afroi edhe më shumë Emiratet me SHBA-në dhe Izraelin. Analistja Cinzia Bianco thotë se Irani po përpiqet t’u shkaktojë dëme Emirateve për t’i detyruar të ushtrojnë presion mbi presidentin amerikan Donald Trump dhe të kërkojnë përfundimin e luftës. Por, sipas saj, sulmet iraniane patën efekt të kundërt dhe përbëjnë një gabim serioz strategjik. Ajo shton se zyrtarët emiratanë besojnë se Irani po përpiqet të minojë modelin e tyre shtetëror, i bazuar në siguri dhe prosperitet ekonomik pavarësisht paqëndrueshmërisë rajonale.
Interesat
Vitet e fundit, Emiratet kanë ndjekur një politikë të jashtme të lidhur me diversifikimin ekonomik dhe reduktimin e varësisë nga nafta. Përmes strategjisë “UAE 2031”, ato synojnë të bëhen qendër rajonale për teknologji, turizëm, biznes dhe investime. Politikat e tyre po ndryshojnë gjithnjë e më shumë nga ato të Arabisë Saudite. Ndërsa Emiratet dhe Bahreini normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, Arabia Saudite ndërpreu negociatat pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës në Gaza. Më 1 maj, Emiratet u larguan edhe nga OPEC dhe OPEC+, që vazhdon të udhëhiqet nga Arabia Saudite. Të dy vendet mbështesin gjithashtu palë të kundërta në disa konflikte në Afrikë. Sipas Wolfram Lacher nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, Emiratet janë bërë një nga aktorët e jashtëm më agresivë në konfliktet afrikane.
Para dhe armë për të zgjedhurit
Sipas Lacher, Emiratet kanë qenë të përfshira në konflikte në Libi, Etiopi, Sudan, Somali dhe Jemen. Këto korridore u japin qasje në burime strategjike dhe rrugë të rëndësishme tregtare. Ndërhyrjet ushtarake, sipas tij, shihen si një mënyrë për mbrojtjen e interesave ekonomike. Megjithatë, Emiratet rrallë dërgojnë trupa të tyre në terren dhe zakonisht ndikojnë përmes partnerëve lokalë dhe aktorëve të armatosur jo-shtetërorë. Ai përmend Khalifa Haftarin në Libi dhe Mohamed Hamdan Dagalon (Hemedti) në Sudan si shembuj kryesorë. Emiratet akuzohen për financim dhe armatosje të mercenarëve dhe luftëtarëve të huaj, përfshirë sudanezë në Libi dhe mercenarë kolumbianë në Sudan, akuza që zyrtarët emiratanë i mohojnë vazhdimisht.








































