Programi artistik i Cirku Kombëtar vijon këtë muaj me shfaqje repertori në Tiranë, por aktiviteti i artistëve vijon me numra akrobatike edhe në qytete të tjera. Shfaqjet “Magjia e Cirkut”, “Kllouni”, “Energjia e Cirkut” dhe “Spektakli i iluzionit” këtë muaj në skena në Tiranë, ku artistët kanë qenë dhe në Himarë me performancat e tyre. “Magjia e Cirkut” u shfaq më 2 maj si shfaqje repertori te Teatri i Kukullave. Ndërsa “Kllouni” gjithashtu shfaqje repertori do të vijojë në datën 9,10, 16, 17 maj te Teatri i Kukullave.
Në vijim vjen një tjetër shfaqje repertori, “Energjia e Cirkut” në 23 -24 maj po në Teatrin e Kukullave. Ndërsa më 30 dhe 31 maj do të jetë “Spektakli i iluzionit”. Cirku Kombëtar shprehet se këtë muaj nuk mjaftohet vetëm me shfaqje, por sjell energji, emocione dhe ato momente që të mbeten në mendje gjatë. “Maji është muaji kur nuk rrihet në shtëpi. Është muaji kur merret familja për dore dhe vjen te cirku”, shprehet Cirku Kombëtar ndërsa ka bërë me dije dhe programin këtë muaj.
Në vijim të aktivitetit artistik muajin e kaluar, Cirku Kombëtar solli dhe shfaqjen “Përrallat në Cirk”, një premierë që u shfaq në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Cirku Kombëtar në vendin tonë për shkak të mungesës së çadrës po i vijon shfaqjet në skena të ndryse të teatrove në Tiranë. Ai është një institucion artistik me traditë të gjatë në Shqipëri, që luan një rol të rëndësishëm në pasurimin e kulturës kombëtare dhe në përhapjen e artit të cirkut si një formë unike e shprehjes skenike. Përmes viteve, cirku ka prezantuar artistë të njohur, të cilët kanë shpalosur talentin e tyre në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.











































