“Kapedani” pjesë e programit ArteKino Classics, që sjell në vëmendje kinematografitë klasike të 20 vendeve Europiane

0
27

Nga Julia Vrapi

Filmi “Kapedani” që është cilësuar dhe si një nga kinokomeditë më të bukura shqiptare pjesë e programit ArteKino Classic. Filmi me regji të Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, me skenarin e shkruar nga Skënder Plasari është edhe një filmat shqiptarë, që janë restauruar nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Prodhim i vitit 1972, filmin e restauruar “Kapedani” mund ta ndjekë publiku europian në platformën arte.tv. Kjo bëhet me dije nga AQSHF, që sjell në vëmendje rëndësinë që ka restaurimi për filmat shqiptarë prodhime para viteve 1990 në vendin tonë.

“Filmin e restauruar “Kapedani” mund ta ndjekë publiku europian në platformën arte.tv, të subtitruar në 6 gjuhë, pjesë e programit ArteKino Classics që sjell në vëmendje kinematografitë klasike të 20 vendeve Europiane, ku Shqipëria bën pjesë denjësisht falë punës së restaurimit dhe sjelljes së veprave klasike në standardet e duhura të kohës ku jetojmë në mënyrë që të jenë të aksesueshme dhe të vlerësuara nga publiku i ri. Shijojeni deri në 1 korrik”, thuhet nga AQSHF. Më herët në një material për këtë projekt kinematografik, arkivi shprehej se prodhuar gjatë një periudhe shumë të shkurtër liberalizimi, “Kapedani” ende konsiderohet si një nga thesaret më të dashura në historinë e filmit shqiptar, një nga prodhimet më të mira të Kinostudios “Shqipëria e re”.

Në rolet e filmit janë Albert Verria ( xha Sulo), Nikolin Xhoja (xha Beqo), Flora Mërtiri, Zagorka Shuke, Ismail Zhabiaku, Petro Duka, Lazër Filipi, Robert Ndrenika, Hyrie Ahmeti, Ferit Gjevori, Haxhi Sejko, Melpomeni Çobani, Dario Llukaci, Fatbardha Lalo, Rauf Pojani, Valbona Simixhi, Reshat Arbana, Saimir Kumbaro, Meropi Xhoja, Tefta Hamzaraj. Operator në film Ilia Terpini, muzika Tahsim Hoshafi, piktor Shyqyri Sako, montazhi Marika Vila.

Restaurimi i filmit

Premiera e filmit të restauruar “Kapedani” prodhim i vitit 1972 ishte në ditët e “Tirana International Film Festival 2024”. Premiera e variantit të restauruar të filmit “Kapedani” u mbajt si pjesë e programit “TIFF Classics të Tirana International Film Festival- TIFF”. Restaurimi digjital i filmit “Kapedani” u bë i mundur falë projektit “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE- Association des Cinematheques Europeennes, me mbështetjen e Programit Creative Europe -Media. “Kapedani” është restauruar nga Dabimus srl- një spin-off  i Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali nga elementët origjinalë negativë 35 mm të skanuar në 4K nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Sipas AQSHF më parë, një pjesë e arsyes për qarkullimin e vazhdueshëm të këtij filmi mbase është edhe fakti se “Kapedani” paraqitet shumë ndryshe nga filmat e tjerë të kohës të mbushur me kufizime të ngurta stilistike dhe tematike. “Filmi hapet me një sekuencë në të cilën Sulo krenar imagjinon të përballet me armiqtë e Shqipërisë, që nga turqit osmanë deri te nazistët, të përzierë në të njëjtën fushë beteje. Imagjinata dhe komedia nuk ishin lëndë e artit socialist dhe ky film inovativ konsiderohet si kulmi tragjik i një liberalizmi befasues para se qeveria komuniste e kohës të vinte kufizime të forta mbi lirinë artistike”, thuhet nga AQSHF. Arkivi i Filmit nisi punën me restaurimet veprave filmike në vitin 2012, në bashkëpunim edhe me studio të huaja, duke vijuar më pas dhe prezantimin e tyre për publikun. Filmat që janë restauruar janë shfaqur edhe në festivale të ndryshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here