Mevlan Shanaj: “Të fshehta jashtë ekranit”, bashkëudhëtimi im me 50 artistë në mbi 50 vite të jetës

0
55

Regjisori Mevlan Shanaj vjen këtë nëntor me “Të fshehta jashtë ekranit”. Portretet e artistëve të mirënjohur janë pjesë e tij, ku siç tregon dhe vetë regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh” ka qenë një punë rreth tre vite për të sjellë “Të fshehta jashtë ekranit”. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i njohur Mevlan Shanaj vjen me një rrëfim jo vetëm për të “Të fshehta jashtë ekranit”, por dhe sjell në vëmendje dhe rolin e tij të parë në film.

Për “Të fshehta jashtë ekranit”, i cili do të promovohet këtë mbrëmje mes miqve dhe kolegëve të tij artistë, regjisori i njohur thotë se është një libër pa letërsi, pa ditar, por me copëza të vërteta nga përjetimet e tij, krejtësisht pa zbukurime. Regjisori Mevlan Shanaj tregon se janë 50 artistë me të cilët ka punuar, ku kujtimet për ta kanë udhëtuar brenda tij, por që tani do të vijnë dhe për lexuesin. Regjisori Mevlan Shanaj thotë se aty është e tërë jeta e tij, që në daljen e parë me rol në film xhirimet për të cilin nisën në vitin 1969 e deri më sot. Shanaj tregon se nuk merr përsipër që të analizojë dhe të bëj shkrime kritike, por është një lloj fotografimi i kujtimeve gjatë bashkëpunimit të tij me artistë të shquar ndër vite.

-“Të fshehta jashtë ekranit” vjen me copëza të vërteta nga përjetimet e tua, që do të promovohet mes miqve dhe kolegëve. Si vjen ky bashkëudhëtim i juaj me 50 artistë ndër vite?

“Të fshehta jashtë ekranit” unë e kam quajtur një memorial artistik. Unë nuk jam shkrimtar. Jam regjisor, aktor, por sjell tek ky libër bashkëudhëtimin tim me 50 artistë në mbi 50 vite të jetës sime artistike. Me këta artistë kam udhëtuar dhe këto kanë qenë impresionet brenda meje personale. Vendosa që t’ia tregoj edhe adhuruesve të këtyre artistëve. Është e tërë jeta ime në këtë libër, që në daljen e parë në film, që nisa me rol në vitin 1969 e deri më sot. Ky është një libër ku bashkëpunëtorët e mi kanë lënë shenja në kujtesën time. Unë nuk marr përsipër që të analizoj dhe të bëj shkrime kritike, por është një lloj fotografimi i kujtimeve gjatë bashkëpunimit tim me këta artistë të shquar ndër vite.

-Ju shpreheni se është një lloj fotografimi i kujtimeve gjatë bashkëpunimit tuaj me artistë të shquar ndër vite. Kush janë disa prej tyre, që do ti gjejmë tek “Të fshehta jashtë ekranit”?

Bashkëpunimet e mia më të hershme janë me artistët si aktori Sandër Prosi, aktori Kadri Roshi. Në libër është shkrimtari Lasgush Poradeci, aktori Robert Ndernika, apo Timo Flloko e Llazi Serbo, që janë dhe shokët e mi të kursit; Rikard Ljarja, Kastriot Çaushi, Stavër Shkurti, etj. Këngëtarja Vaçe Zela, Maria Kraja dhe të tjerë artistë të shquar që i ka publiku në mendje dhe me të cilët unë kam pasur fatin që të bashkëpunoja ndër vite ose do të kem bërë ndonjë dokumentar. Në këtë botim janë impresionet e mia personale. Janë gjërat intime të karakterit të njeriut, personale të panjohura. Nga Kinostudio kam disa artistë në këtë botim, regjisorët Viktor Gjika, Dhimitër Anagnostin, Xhanfise Kekon, Piro Milkanin, etj. Nga teatri kam të madhin Piro Mani dhe të tjerë artistë. Në libër përfshihen dhe aktoret Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, Rajmonda Bulku, etj. Një ndër 50 portretet tek “Të fshehta jashtë ekranit” është edhe Betim Muço.

-Filmi “I teti në bronx” është realizim i regjisorit Viktor Gjika në vitin 1970. Por dhe roli i parë në kinematografi për ju, që siç keni pohuar ju ka hapur dhe perspektivën tuaj në ekran. Çfarë mund të na thoni për të si regjisor?

Unë merrem me karakterin se kush ishte Viktor Gjika. Tregoj detaje nga jeta dhe takimet me të si regjisor. Siç unë e kam shprehur edhe më parë tek filmi “I teti në bronx” ka qenë roli im i parë, që mua më hapi dyert në ekran. Viktor Gjika ishte njeri që dinte të punonte, të respektonte shtetin dhe ishte tepër i ndjeshëm, një njeri shumë i përkushtuar ndaj punës.

-Mes miqve dhe kolegëve tuaj me të cilët keni ndarë skenën dhe keni punuar për dekada të tëra, si aktor dhe regjisor ju promovuat në mjediset e Pallatit të Kongreseve kur po zhvillohej Panairi i 15-të i Librit botimin tuaj “Ekrani është vetë ëndrra”. Tashmë tek ky botim i fundit artistët më të mëdhenj të filmit, teatrit dhe kulturës kombëtare vijnë përmes rrëfimeve prej jush si autor. Meqë pak ditë na ndajnë dhe nga Panairi i Librit i radhës në Tiranë, a do jetë në panair?

Libri do të jetë dhe në Panairin e Librit, por për më tepër këtë e di botuesi “Agora”, që organizon dhe promovimin mbrëmjen e 7 nëntorit në Tiranë.

-Me një karrierë të gjatë në fushën e kinematografisë këtë nëntor ju vini me “Të fshehta jashtë ekranit”, që siç pohoni dhe vetë vjen me copëza të vërteta nga përjetimet tuaja, krejtësisht pa zbukurime. Janë 50 artistë thoni ju me të cilët keni punuar. Por sa kohë ka vijuar puna juaj si regjisor për të sjellë tani “Të fshehta jashtë ekranit”?

Puna për këtë ka vijuar për rreth tre vite. Ndërsa “Ekrani është vetë ëndrra” ka qenë më tepër një botim për studentët. Por “Të fshehta jashtë ekranit” për mua nuk është libër, por është një memorial artistik. Është një album jo fotografik,por siç u shpreha më lart është album kujtimesh.

-Projekti i radhës për ju?

Jam në kërkim akoma.

Intervistoi: Julia Vrapi

Kinematografia dhe roli i parë

Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh”, profesor dega e filmit në Universitetin e Arteve Tiranë është prezantuar për publikun si aktor, regjisor në kinema dhe televizion, dhe si producent. Por roli i parë në kinematografi për aktorin Mevlan Shanaj është Ibrahim Kovaçi te filmi “I teti në bronx” i regjisorit Viktor Gjika në vitin 1970. Aktori Mevlan Shanaj ka treguar se me rolin kryesor, që iu besua nga regjisori Viktor Gjika atë kohë te ky film ai punoi me mjeshtrat e aktrimit. “Kur më caktuan rolin isha i befasuar pasi në atë moshë do punoja me mjeshtrat e aktrimit! Isha me fat kur i thonë. Kisha partnerë: Sandër Prosin, Pandi Raidhin, Kadri Roshin, Piro Manin, Mihal Stefën, Bexhet Nelkun, Vangjush Furxhi?! Pra në filmin e parë në atë moshë të jesh me gjigandët e aktrimit mbi 6 muaj! Ibrahim Kovaçi është personazhi që më hapi perspektivën në ekran!”, ka pohuar aktori.

Mevlan Shanaj ka interpretuar në filma si “I teti në bronz”(1970) regjisor Viktor Gjika, “Malet me blerim mbuluar” (1971) regjisor Dhimitër Anagnosti, “Guximtarët” (1970) regjisor Gëzim Erebara, “Rrugicat që kërkonin diell” (1975) regjisor Saimir Kumbaro,Rikard Ljarja, “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988) i Piro Milkanit, “Unë e dua Erën” (1991), regjisor Albert Minga, etj. Të tjera realizime të tij si regjisor janë filmat artistikë: “Korrierët” (1976), “Plumba Perandorit” (1980 ), “I “Paharruari”(1984), “Të shoh në sy” (1985), “Një telegram dhe një këngë” (1986), “Fletë të Bardha” (1990), “Lule të kuqe, lule të zeza” (2003), etj, si dhe dokumentarë të ndryshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here