Sërish tensione në veri të Kosovës? Të shtëna me armë zjarri, plagoset një serb, reagon policia dhe zbardh detajet

0
119

Policia e Kosovës tha se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll. Ndërkaq, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.

Sipas një njoftimi për media, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke “rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Më herët gjatë 23 janarit, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq deklaroi se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Sipas tij, njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin “vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

Sipas Petkoviqit, i plagosuri “është qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit dhe ka plagë me armë zjarri”.

Petkoviq, tha se në veturën, që po qarkullonte në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, përveç M.D, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime.

Petkoviq përsëriti se njësitë speciale të Policisë së Kosovës “nuk kanë çfarë kërkojnë në veri të Kosovës”.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në veri të Kosovës. Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka raportuar se ka pasur incidente ku kanë qenë të përfshira automjete që dyshohej se bartnin mallra kontrabandë.

Incidenti i 23 janarit, vjen po ashtu një muaj pasi në veri të Kosovës, për 20 ditë rresht në dhjetorin e kaluar, u ngritën barrikada.

Serbët lokalë kishin ngritur barrikada pasi ishte arrestuar një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Por, pas ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak për Dejan Pantiqin, grupet e serbëve lokalë hoqën barrikadat në veri të Kosovës./REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here