Bayerni i Mynihut ka dhuruar një tjetër spektakël në Bundesligë, duke mposhtur me rezultatin e thellë 7-0 Union Berlinin. Bavarezët dominuan takimin dhe me këtë sukses ngjiten në krye të tabelës, të paktën përkohësisht.
Jamal Musiala zhbllokoi sfidën me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Bayerni vijoi presionin në kërkim të golit të dytë. Pas disa pritjeve të Rønnow, vendasit fituan një penallti pas ndërhyrjes ndaj Michael Olises në zonë. Harry Kane mori përsipër ekzekutimin dhe dyfishoi avantazhin.
Para pushimit, ishte radha e Olises për të lënë gjurmë. Francezi realizoi me një goditje të saktë nga jashtë zone, duke e çuar Bayern në avantazhin 3-0.
Në pjesën e dytë, Union Berlini tentoi të reagonte, por Manuel Neuer ishte në formë të shkëlqyer dhe ndali disa raste të rrezikshme. Bayerni ndërkohë vazhdoi ofensivën. Kane shënoi golin e dytë personal me kokë pas një krosimi të Olises, duke arritur një tjetër rekord të rëndësishëm.
Sulmuesi anglez realizoi golin e tij të 100-të në Bundesligë në vetëm 98 ndeshje, duke e arritur këtë shifër 31 ndeshje më shpejt se çdo lojtar tjetër në historinë e kampionatit.
Më pas, Ismael Saibari shënoi golin e parë për Bayern, përpara se Olise të kompletonte një tjetër gol për 6-0. Francezi nuk u ndal me kaq dhe realizoi edhe golin e tretë personal, duke kompletuar ‘hat-trickun’ e parë me fanellën e Bayernit.
7-0 ishte një nga fitoret më të thella të Bayernit në vitin 2026, ndërsa Union Berlin pësoi humbjen më të rëndë në këtë nivel dhe vazhdon të ketë problemet më të mëdha në mbrojtje në kampionat. Olise u shpall lojtari i ndeshjes.








































