Shkarkimi i Metës çështje ditësh/ Kushtetuesja drejt plotësimit me 9 anëtarë, KLGJ në korrik zhbllokon procedurat dhe kompleton Gjykatën e Lartë

0
205

Gjykata Kushtetuese duket se nuk do ta zgjasë shumë çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Kuvendi ka dërguar dosjen aty dhe tashmë të gjithë po presin një datë, por gazeta ka mësuar se po punohet fort në prapaskenë që Kushtetuesja të ketë sa më shpejt të jetë e mundur 9 anëtarë. Sot që flasim Kushtetuesja ka 7 gjyqtarë dhe që të kemi një vendim duhen minimalisht 5 vota. Sipas burimeve të gazetës, në javën e parë të korrikut do të bëhet plotësimi i Gjykatës së Lartë me 10 anëtarë. Sipas ligjit, 3 anëtarë në Kushtetuese i dërgon Presidenca, 3 Kuvendi dhe 3 Gjykata e Lartë. 2 institucionet e para i kanë mbyllur hesapet dhe kanë mbetur vetëm 3 emrat e Gjykatës së Lartë, të cilët janë bllokuar sepse nuk ka pasur kuorum. Me ndryshimet ligjore që u bënë disa javë më parë Gjykata e Lartë mund të thërrasë mbledhjen e saj për të votuar emrat me ½ e anëtarëve, pra me 10 emra. Aktualisht kjo gjykatë ka 7 anëtarë, por gazeta ka mësuar se në korrik do emërohen nga KLGJ 2 anëtarë nga sistemi gjyqësor dhe një anëtar nga sistemi jo gjyqësor, duke e dërguar në 10 numrin. Ndërkohë në 3 korrik, Gjykata e Lartë mbyll garën për vakancat në Kushtetuese dhe emrat do i shkojnë të gjithë KED, e cila ka gati terrenin për të nisur menjëherë shqyrtimin. Pra sinjalet janë se çdo gjë po bëhet gati që Kushtetuesja të ketë sa më shpejt 9 anëtarë.

Situata në Kushtetuese

Një vit më parë emërimet në Kushtetuese nga Kuvendi e Presidenca u kthyen në mollë sherri mes palëve. Presidenti arriti të fusë aty dy emra të besuar, ndërkohë që kishte më herët Vitore Tushën. Dy emrat që njihen si mbështetës të Metës janë Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, ndërkohë Tusha u propozua nga Meta për në KLSH dhe mazhoranca e refuzoi. Vitore Tusha është pa mandat dhe në momentin që Gjykata e Lartë do të nisë plotësimin e 3 vakancave të fundit, ajo largohet nga funksioni. Pra nga 9 anëtarë që do të ketë Kushtetuesja, Meta do të ketë vetëm 2 njerëz të tij, numër i papërfillshëm duke qenë se janë 7 të tjerë që do vendosin.

Ndryshimi i ligjit

Arsyeja se përse zgjati kaq shumë vonesa me Gjykatën e Lartë është sepse ligji parashikonte se kjo gjykatë duhej të kishte së paku 14 anëtarë që të mblidhej dhe të hidhte në votim kandidatët për në Kushtetuese. Mirëpo mazhoranca e ndryshoi ligjin disa javë më parë dhe ky numër u ul në 10. Në korrik KLGJ dërgon 3 emrat e fundit dhe zhbllokohet i gjithë procesi. “Deri në emërimin e të paktën tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, por në çdo rast, jo më vonë se data 31.12.2023, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas pikës 3, të nenit 7 /9, të këtij ligji, është e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”, thuhet në ligjin e ri. Pra duket se nuk do të ketë shumë surpriza nga Kushtetuesja, pasi pas plotësimit të saj me 9 anëtarë, ndikimi politik aty do të jetë minimal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here