Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi dje zyrtarisht 8 prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme që të konkurrojnë për postin e kryeprokurorit të SPAK. Prokurorët Altin Dumani, Behar Dibra, Arben Kraja, Edvin Kondili, Elida Celami, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho pas emërimit të bërë të hënën e 25 nëntorit, sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duhet të ndjekin rregullat që janë listuar në dokumentin zyrtar, për të aplikuar për statusin e prokurorit të përgjithshëm të SPAK. Ende nuk dihen emrat e prokurorëve të cilët do të aplikojnë, por nëse në mesin e tyre do të aplikojë Altin Dumani, ai është favorit për ta marrë postin. Ky aludim vjen pasi në renditjen fillestare, ku konkurruan 15 prokurorë për SPAK, Dumani u rendit i pari.
Zbardhen procedurat
Këshilli i Lartë i Prokurorisë në njoftimin zyrtar të publikuar dje, pasi njoftoi prokurorët për të aplikuar për postin e kryeprokurorit të SPAK, listoi dokumentet që i duhen kandidatëve për të aplikuar për postin e kryeprokurorit. “Letra e motivimit në të cilët të shprehet motivimi juaj për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme; Një letër mbështetëse për standardet 1,2,3,4,5,7 të parashikuar në metodologjinë e miratuar me vendim të KLP; Vizioni ose plani i besueshëm për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv sipas standardit 6 të metodologjisë; Dokumente të tjera për të dëshmuar përmbushjen e standardeve të përcaktuara në metodologji si më poshtë: Për standardin 1 nuk ka nevojë për dokumentacion shtesë”, shkruhet në njoftim. Por nuk mjafton më kaq, ndërsa KLP-ja ka shkruar dhe detajet e aplikimit, ku në mes tyre janë dhe çështjet e vlerësuara në fazën e parë. “Në letrën mbështetëse, kandidatët duhet të listojnë çështjet e vlerësuara në fazën e parë dhe të nënvizojnë dy prej tyre, duke shpjeguar rëndësinë dhe lidhjen me pozicionin për të cilin aplikojnë. Për standardin 2, përveç letrës mbështetëse, kandidatët duhet të paraqesin jo më shumë se dy dokumente për të dëshmuar aftësinë e tyre lidhur me eksperiencën drejtuese e vendimmarrëse e kandidatit në të kaluarën; Nivelin në të cilin kandidati i ka ushtruar kompetencat vendimmarrëse e drejtuese; Rezultatet e arritura në drejtim/menaxhim. Për standardin 3, kandidatët duhet të paraqesin letrën shpjeguese si dhe jo më shumë se dy dokumente që vërtetojnë pjesëmarrjen e tyre në grupe pune për hartimin dhe miratimin e rregulloreve të ndryshme apo akteve të tjera me karakter administrative”, shkruhet në njoftim. Në listë vijohet me standardin e katërt, që sipas KLP-së, kandidatët duhet të paraqesin pranë Këshillit çështjet që kanë hetuar dhe kanë bërë bujë, gjithashtu, KLP i ka kushtuar rëndësi edhe eksperiencës së kandidatëve në drejtimin e strukturave. “Për standardin 4 kandidatët duhet të paraqesin letrën mbështetëse dhe si dokumentacion provues, veç të tjerash, edhe publikimet e ndryshme në media për çështje të hetuara apo përfaqësuara prej tyre të cilat kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe medias. Për standardin 5 kandidatët mund të dorëzojnë të njëjtin dokumentacion si për standardin 2 i cili vlerëson eksperiencat në drejtimin e një strukture, ku përfshihet edhe menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore. Kandidatët duhet të theksojnë që dokumentacioni i dorëzuar shërben për vlerësimin e dy standardeve. Në letrën shpjeguese kandidatët duhet të sqarojnë aftësitë e tyre lidhur me këtë kriter si dhe ta mbështesin këtë letër me të paktën dy dokumente shtesë”, njoftohet më tej.
Ornela Çelpica