Telashet e presidentit Ilir Meta pritet të shtohen nga dita në ditë. Kreu i shtetit ka vendosur të ndërmarrë një tur takimesh në vend kundër qeverisë duke braktisur postin, por nga ana tjetër dhe mazhoranca po i kundërpërgjigjet në prapaskenë. Të hënën një grup deputetësh propozuan që pjesë e objektit të komisionit hetimor të bëhet dhe dekretimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Për PS kjo është bërë në shkelje të Kushtetutës, pasi ajo ishte renditur e katërta në listë dhe presidenti duhet të hetohet. Kërkesën e ka marrë komisioni dhe mbledhja e radhës është parashikuar në 5 dhjetor. Por duke qenë se afati i komisionit hetimor është në datën 8 dhjetor, burime të gazetës thanë se mund të kërkohet shtyrja e afateve dhe me 3 muaj për shkak se duhet të administrohen prova për çështjen e Xhaferllarit. Por duke qenë se ndodhi dhe tërmeti, shanset që shkarkimi i Metës të mbyllet brenda 8 dhjetorit janë të ulëta. Por shtyrja e afateve e komplikon akoma dhe më shumë situatën për kreun e shtetit. Kjo pasi shkarkimi i tij do të vijë në një kohë kur SPAK të ketë nisur zyrtarisht punën dhe po ashtu të jetë ngritur Byroja Kombëtare e Hetimit. Në maj pritet të vendoset për fatin e negociatave dhe Gjermania me shtetet e tjera e kanë bërë të qartë se integrimi varet nëse shfaroset korrupsioni në nivele të larta. Ka shumë zëra që flasin se Meta është ndër më të rrezikuarit dhe dyshimet janë se e gjithë kjo luftë prandaj po bëhet. KLP zgjodhi 8 emrat e parë të SPAK, ndërsa brenda datës 10 do të mbyllet gara për kryeprokurorin e SPAK. Ky i fundit sapo të marrë detyrën do nisë procedurat për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH pritet të jetë gati brenda 3 muajve. Pra në momentin që do të shkarkohet kreu i shtetit, SPAK dhe BKH do jenë gati dhe mungesa e imunitetit do ja rëndojë shumë pozitat. Duket se kjo do të jetë dhe strategjia e mazhorancës. Meta është ende president dhe po nis takimet në bazë, ndërsa shkarkimi i tij në këto momente do i jepte atij komplet dorë të lirë që të sillet tamam si opozitar.
Rreziku ndaj Metës
Ngritja e SPAK po lë pa gjumë shumë pushtetarë në vend. Por më të rrezikuarit janë ata që kanë çështje të hapur në prokurori. Krimet e Rënd kanë qindra dosje që do i kalojnë te SPAK. Një ndër to është dhe një padi që juristi i OSHE, Romeo Kara ka bërë ndaj Metës e Berishës, duke i akuzuar ata për aferën CEZ-DIA. Dosja është në hetim dhe nuk është pushuar, çka do të thotë se kalon te SPAK. “Sot, pas një pune relativisht të gjatë dhe të lodhshme, pas një investigimi të plotë e të saktë, përfundova dhe dërgova pranë Prokurorisë së Përgjithshme një padi, kundër Ilir Metës, Sali Berishës, Kastriot Ismailit, Bujar Nepravishtës, Martin Roman, Tomas Pleskash dhe Jozef Hejsek, lidhur me veprën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, të kryer përgjatë lidhjes së zbatimit të kontratës DIA-CEZ. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga kjo veprimtari kriminale është së paku 39.5 milionë Euro. Për çdo të re, lidhur me këtë çështje, do të kemi komunikim direkt, si dhe nëpërmjet medias. Shqipëria dhe shqiptarët, meritojnë drejtësi dhe jo të rrinë nën hyqmin e kriminelëve, të korruptuarve dhe shpërdoruesve”, tha Romeo Kara kur dorëzoi padinë. Pra duket se telashet e kreut të shtetit po shtohen dhe SPAK po kthehet në tmerr. Kjo pasi SPAK do jetë në dorë të amerikanëve. Nuk është rastësi që Meta po i sulmon amerikanët, pasi duket se ata do e fundosin.
Kliti Topalli