Hetimet për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, shkon në 40 numri i personave të shoqëruar (Detajet)

0
336

Dy ditë pas atentatit të trefishtë ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mikut të tij Aleksandër Laho, i njohur edhe me nofkën “Rrumi” dhe shoferit Andi Maloku, policia dhe prokuroria ende nuk kanë asnjë person të identifikuar për këtë ngjarje të rëndë.

Gjatë këtyre dy ditëve në Policinë e Durrësit janë kryer 40 shoqërime të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen, kryesisht persona të skeduar më parë për krime të ndryshme, ose që mund të jenë pjesë e dosjeve të hetuara nga prokurori Ndoja.

Por, deri më tani nuk ka asnjë person konkret të ndaluar apo të dyshuar për ngjarjen. Ndërkohë, prokurori Arjan Ndoja dhe miku i tij Aleksandër Laho vijojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve në Spitalin Rajonal Durrës. Ndërsa shofer vazhdon të luftojë për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Prokurori Ndoja ka lënë Repartin e Reanimacionit që prej mëngjesit të së shtunës dhe vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve në dhomën personale ku ndodhet i shtruar. Në gjendje pak më delikate shëndetësore, por pa rrezik për jetën, ndodhet Laho, i cili vijon të marrë ende trajtim mjekësor në Repartin e Reanimacionit.

Të dy të plagosurit e atentatit të dy ditëve më parë mbahen po ashtu nën vëzhgim të rreptë nga forcat e rendit, ndërsa janë lejuar vetëm vizitat e familjarëve të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here