Atentati ndaj Mariglen Hakës/ Hakmarrja dhe përplasja mes grupeve kriminale, dy pistat ku janë përqendruar hetimet

0
526

Kur kanë kaluar tre ditë nga atentati që iu bë 28-vjeçarit Mariglen Haka, ku mbeti i plagosur ky i fundit dhe humbi jetën halla e tij, grupi hetimor është përqendruar në dy pista për zbardhjen e ngjarjes. Hakmarrja është pista kryesore ku është fokusuar grupi hetimor, por nuk përjashtohet as ajo e përplasjes mes grupeve kriminale. Sipas grupit hetimor, atentati ndaj të riut dyshohet se është bërë për shkak të një hasmërie të vjetër mes familjes Haka dhe Zeneli. Mariglen Haka nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në 13 qershor 2011 është shoqëruar si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e Bllokut. Haka u tha në atë kohë se kishte vrarë biznesmenin, pasi dyshonte se ai ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, në vitin 2004. Gjithashtu një pistë tjetër ku po hetohet është edhe ajo e përplasjes mes grupeve kriminale. 28-vjeçari është pjesë e grupit të Niklës, arrestuar më herët më 12 shtator të vitit 2018. Në prill të këtij viti Gjykata e Krujës ka dënuar me 1.6 vite burg Mariglen Hakën, nga 2.6 vite heqje lirie që kishte kërkuar prokurori i çështjes. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, i cili ishte dënuar me 1 vit burgim. Ishte pikërisht ky shtetas, personi që shoqëroi në spital të plagosurit. Haka dhe Bami akuzohen si pjesë e një grupi që kishin armatime dhe municione luftarake pa leje si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ata janë arrestuar gjatë një aksioni që reparti RENEA dhe FNSH bënë në fshatin Nikël, duke arrestuar 4 persona. Mbrëmjen e së shtunës Fushë-Kruja u trondit nga një atentat me armë. Një grua humbi jetën ndërsa i plagosur mbeti nipi i saj. Viktima është Shpresa Basha, 50-vjeçe dhe i plagosur është 28-vjeçari, Mariglen Haka. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në oborrin e banesës së të riut, i cili dyshohet se ka qenë në shënjestër të atentatit. Ndaj tyre u qëllua me breshëri armësh nga persona të paidentifikuar. Të dy hallë e nip mbërritën të plagosur në spital, por gruaja nuk u mbijetoi dot plagëve të marra.

Atentati

Në vendngjarje u sekuestruan shumë gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike. Për pasojë mbeti e vdekur Shpresa Basha dhe u plagos nipi i saj, Marklen Haka. Atentatorët kishim mundur të hynin në thellësi të fshatit Zezë të Fushë-Krujës, aty ku jetojnë anëtarët e familjes Haka në fshehtësi të plotë dhe të padiktuar nga askush. E gjitha rruga për të mbërritur tek 3 vilat e fisit Haka është e monitoruar 24 orë me kamera sigurie. Viktima 50-vjeçe dyshohet se, u qëllua aksidentalisht. Shpresa Basha ka hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur u qëllua me armë zjarri. 28-vjeçari Haka ishte në oborr kur filluan të shtënat. Edhe mënyra se si u larguan autorët ka krijuar dyshime tek hetuesit e krimeve kundër jetës në Policinë e Shtetit. Personat e përfshirë në krime e njohin shumë mirë terrenin, pasi nuk janë larguar nga rruga kryesore automobilistike që lidh Niklën me Krujën. Ata kanë ndjekur rrugët dytësore të fshatit Zezë, duke humbur edhe gjurmët. Ndryshe siç ndodh zakonisht në atentate të tilla mafioze, autorët nuk e kanë shkrumbuar automjetin dhe armët e krimit dhe kjo gjë sipas ekspertëve të policisë dyshohet se ka ndodhur për të mos tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës. Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por që u lirua për mungesë provash. Ngjarjet kriminale të njëpasnjëshme lidhen me ekzekutimin në vitin 2004 të vëllait të Marklen Hakës, duke shkaktuar një kalvar të gjatë vrasjesh e plagosje në zonën e Fushë-Krujës.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here