“Streha mes reve” në Gjermani, Robert Budina: Filmi bën fjalë për një vlerë unikale të shqiptarëve

    0
    453

    Filmi “Streha mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina shfaqet për publikun në kinematë gjermane. “Streha mes reve” pati dy premiera në “Funf Seen Film Festival” në Starnberg dhe Gauting. Publiku gjerman e ndjeu filmin dhe një ogur i mirë për premierat, që do të vijojnë në qytetet e tjera. Regjisori Robert Budina shprehet se filmi “Streha mes reve” pas suksesit në shumë festivale në botë, nga data 19 shtator do të shfaqet në mbi 70 kinema në të gjithë Gjermaninë. Premiera botërore e filmit u bë në festivalin prestigjioz “Black Nights Film Festival” në Tallin, Estoni, të cilën kritika e “Screen Daily” e vlerësoi filmin shqiptar. “Si një zjarr që digjet ngadalë, por që vizualisht të bën të mbash frymën ky film prek përplasjen mes traditës dhe modernes dhe dhimbjeve që shkakton bashkëjetesa mes kulturave”, shkruan “Screen Daily”. Regjisori Robert Budina ndodhet dhe vetë këto ditë në Gjermani për të prezantuar filmin në disa qytete. Në mesazhin për “Streha mes reve”, ai shprehet se me shfaqjen e filmit në Gjermani përhapet më shumë dhe kultura jonë. “Është hera e parë, që një film shqiptar do të shfaqet në kinematë gjermane. Ndaj do të më bëhej shumë qejfi nëse ju do të vinit në kinema për të ndjekur filmin, dhe sjellë bashkë me ju edhe miqtë tuaj gjermanë, në mënyrë që të përhapim sa më shumë kulturën tonë kombëtare në Gjermani”, shprehet Budina në mesazhin e tij. Skenarist dhe regjisor, Robert Budina pohon se në “Streha mes reve” tregohet dhe për një vlerë unikale të shqiptarëve. “Filmi bën fjalë për një vlerë unikale të shqiptarëve e rrallë në të gjithë botën, bashkëjetesën fetare dhe është xhiruar në bjeshkët e mrekullueshme të malësisë së Gjakovës në Valbonë e Dragobi afër Bajram Currit”, vijon regjisori Budina. Edhe pse është lajmëruar data 19 shtator për tu shfaqur në mbi 70 kinema kinema, filmi është prezantuar në disa qytete, ku i pranishëm është dhe regjisori Robert Budina për të zhvilluar bashkëbisedime me të pranishmit për filmin e tij. Aktori kryesor i filmit është Arben Bajraktaraj me origjinë nga Kosova, i cili jeton në Paris dhe ka luajtur deri në Hollywood me filma si “Harry Potter” e “Taken”. Në rolet e tjera interpretojnë Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala, etj. Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube).

    Ngjarjet në film

     Filmi “Streha mes reve”, rrëfen historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri- tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në të ri të tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij. Filmi e pati premierën në Shqipëri në datën 13 dhjetor 2018. “Streha mes reve” është filmi i dytë artistik me metrazh të gjatë i skenaristit dhe regjisorit Robert Budina.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here